Armëpushimi në Lindjen e Mesme si një pushim i përkohshëm për civilët, por sa do të zgjasë
- Brenda një dite, presidenti amerikan Donald Trump kaloi nga kërcënimi ndaj qytetërimit iranian me “zhdukje” deri njoftimin se plani dhjetëpikësh i Iranit është një bazë “funksionale” për negociata në Pakistan.
- Post By Fitore Curri
- 15:46, 9 prill, 2026
9 prill 2026
Bi-Bi-Si
Brenda një dite, presidenti amerikan Donald Trump kaloi nga kërcënimi ndaj qytetërimit iranian me “zhdukje” deri njoftimin se plani dhjetëpikësh i Iranit është një bazë “funksionale” për negociata në Pakistan.
Armëpushimi është, mbi të gjitha, një pushim për të gjithë civilët në Lindjen e Mesme, që u goditën pasi SHBA dhe Izraeli hynë në luftë me Iranin më 28 shkurt.
Ai nuk përfshin popullin e Libanit.
Duke u bazuar në qëndrimin se armëpushimi nuk vlen për Libanin, Izraeli filloi një valë masive dhe vdekjeprurëse sulmesh ajrore.
Kjo nuk do të thotë se pushimi do të zgjasë diku tjetër.
Si Irani, ashtu edhe Amerika kanë arsye të forta për ta ndalur luftën. Por qëndrimet e tyre publike janë shumë larg njëra-tjetrës.
Kemi dy javë përpara duke u përpjekur të arrihet një marrëveshje mes dy palëve që nuk i besojnë njëra-tjetrës.
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, Xhej Di Vens, e përshkroi ndalimin e përkohshëm të luftimeve si një “armëpushim të brishtë”.
Kjo është një vlerësim realist.
Më pak realiste janë pretendimet nga të dyja palët se kanë arritur fitore.
Ministri amerikan i Mbrojtjes, Pit Hegset, u tha gazetarëve në Pentagon se kjo është një “fitore ushtarake me shkronjë të madhe F” për SHBA-në, “sa historike aq edhe e madhe”.
“Vendi kryesor sponsorizues i terrorizmit në botë u tregua absolutisht i paaftë për të mbrojtur veten, popullin e vet apo territorin”, tha ai.
Pretendime po aq bombastike vijnë edhe nga Teherani, ku regjimi gjithashtu shpalli një fitore bindëse.
Zëvendëspresidenti i parë i Iranit, Mohammad Reza Aref, shkroi në rrjetet sociale se “bota e mirëpriti një qendër të re fuqie dhe se epoka e Iranit ka filluar”.
Mbështetësit e Trampit thonë se dëmi i pamohueshëm që SHBA dhe Izraeli i shkaktuan Iranit është serioz dhe e detyroi vendin të negociojë.
Ndjekësit e presidentit thonë se deklaratat e tij ishin një taktikë vendimtare negociuese.
Kërcënimet e tij përfshinin veprime që tingëllonin sikur mund të përbënin krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Iranianët besojnë se qëndrueshmëria dhe rezistenca e regjimit ndaj forcave amerikane dhe izraelite, si dhe fakti që ende mund të lëshojnë raketa balistike dhe dronë dhe të kontrollojnë Ngushticën e Hormuzit, e detyruan Amerikën të negociojë mbi bazën e planit të tyre dhjetëpikësh.
Në të ka pika që do të ishin po aq të vështira për Amerikën sa për Iranin.
Ato përfshijnë njohjen e kontrollit ushtarak të Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit, kërkesën për reparacione, heqjen e sanksioneve dhe zhbllokimin e fondeve të ngrira.
Pavarësisht nëse pakistanezët do të arrijnë një marrëveshje të qëndrueshme kur të dyja palët të udhëtojnë në Islamabad, lufta dhe pasojat e saj tashmë e kanë riformësuar Lindjen e Mesme.
Kur dhanë urdhrin për sulm ndaj Iranit, si Trampi ashtu edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu pretendonin se ndryshimi i regjimit në Iran ishte i pashmangshëm.
Kjo nuk ndodhi, pavarësisht përpjekjeve për ta paraqitur vrasjen e liderëve të lartë iranianë si ardhje e një regjimi të ri.
Kundërshtarët vendorë të regjimit iranian nuk do të qetësohen nga mënyra se si mund të përfundojë lufta.
Regjimi, për të cilin SHBA dhe Izraeli thonin se do të binte, tani do të jetë një partner i barabartë në negociata.
Irani do të kërkojë ta forcojë pozicionin e tij.
Vetëm pak javë më parë, Trump kërkonte dorëzim të pakushtëzuar të regjimit.
Nuk dihet saktësisht se si bisedimet në Islamabad do të ndryshojnë nga ato në Gjenevë, të cilat dukeshin se po përparonin kur SHBA dhe Izraeli sërish rifilluan luftën.
Në Gjenevë pati diskutime për një marrëveshje të re bërthamore, përfshirë këtu fatin e rezervave iraniane të uraniumit të pasuruar, që mund të përdoret për prodhim të armës nukleare.
Një faktor tjetër që do të ketë vend të kosiderueshëm në agjendë është Ngushtica e Hormuzit.
Ajo është bërë një mjet i ri presioni për Iranin.
Nëse SHBA dhe Izraeli rikthehen në luftë, Irani ka treguar se mund ta bllokojë lehtësisht, duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike në mbarë botën.
Para 28 shkurtit, transporti ndërkombëtar kalonte lirshëm nëpër këtë ngushticë.
Tani Irani thotë se do të lejojë kalimin gjatë armëpushimit vetëm nëse lëvizjet koordinohen me ushtrinë iraniane.
Ai mund të kërkojë edhe tarifa, të ngjashme me ato të Kanalit të Suezit.
Izraeli nuk ishte pjesë e përpjekjeve diplomatike që sollën armëpushimin.
Netanjahu dëshironte t’i shkaktojë dëme më të mëdha Republikës Islamike.
Në një vit zgjedhor në Izrael, kundërshtarët e tij politikë, përfshirë liderin e opozitës Jair Lapid, e akuzuan se po rrezikon sigurinë e vendit.
Ata janë të shqetësuar se fitoret taktike mund të mos sjellin përparësi strategjike.
Kina luajti një rol në përgatitjen e armëpushimit dhe pritet të ketë ndikim të madh në bisedimet në Islamabad.
Kjo do të forcojë më tej ndikimin e saj në Lindjen e Mesme.
Fjalori i Trumpit do të ketë gjithashtu pasoja.
Ai i ka dëmtuar marrëdhëniet me aleatët, veçanërisht në NATO.
Politikanët britanikë do ta kenë të vështirë të harrojnë fyerjet ndaj Sër Keir Starmer dhe talljen me Marinën Mbretërore.
Vendet e Gjirit nuk do t’i ndërpresin lidhjet me SHBA-në, por do t’i rishqyrtojnë marrëdhëniet e sigurisë.
Pamja e një presidenti amerikan që përdor kërcënime që mund të përbëjnë krime lufte, përfshirë edhe një sulm potencialisht gjenocidal, ngre pyetje të thella për qëndrimin e tij ndaj ligjit dhe moralit.
— Xheremi Bouen, redaktor në Bi-Bi-Si