• e diel, 01 shkurt 2026

Ambasadori i SHBA-së në BE: Duam bashkëpunim me Evropën, ndryshimet në legjislacionin evropian do të jenë në dobi të madhe

Ambasadori i SHBA-së në BE: Duam bashkëpunim me Evropën, ndryshimet në legjislacionin evropian do të jenë në dobi të madhe

Bruksel, 28 janar 2026 (MIA) – Duam bashkëpunim me Evropën, u tha sot eurodeputetëve nga Komiteti për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian përfaqësuesi i përhershëm i SHBA-së në institucionet e BE-së në Bruksel, ambasadori Endru Puzder. 

Ndryshimet në legjislacionin evropian do të ishin në dobi të madhe, shtoi ai, dhe bëri thirrje për lehtësim në punën e kompanive teknologjike nga vendi i tij në Evropë. Sipas tij, ekonomia shumë shpejt do të udhëhiqet nga inteligjenca artificiale, por për atë qëllim do të nevojitet shumë energji, qendra për ruajtjen e të dhënave, vetë të dhënat dhe mineralet e rralla fosile. 

Ambasadori shfaqi shpresë se në ditët në vijim do të nënshkruhet marrëveshje ndërmjet SHBA-së dhe BE-së për karburante fosile, si dhe se Evropa shumë shpejt përfundimisht do ta konfirmojë marrëveshjen tregtare me Uashingtonin. 

Interesi më i madh i SHBA-së është që BE-ja të përparojë ekonomikisht, tha Puzder. Ai theksoi se BE-ja është strategjikisht dhe kulturorisht jetësore për Shtetet e Bashkuara dhe një shtyllë e përparimit ekonomik të vendit të tij. Një Evropë e fortë është një partner tregtar më i fortë dhe më i aftë të na ndihmojë në të gjithë botën ndërsa luftojmë kundër forcave të liga, tha ai.

Ambasadori shtoi se që kur mbërriti në Bruksel disa muaj më parë, u habit kur zbuloi se BE-ja ka një vizion shumë të ngjashëm me Uashingtonin për çështje të tilla si Kina dhe imigracioni. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja kanë një dëshirë për të parë fundin e luftës në Ukrainë. fc/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR