• e diel, 01 shkurt 2026

Të paktën 85 persona humbën jetën në SHBA si pasojë e stuhisë së borës dhe temperaturave të ulëta

Të paktën 85 persona humbën jetën në SHBA si pasojë e stuhisë së borës dhe temperaturave të ulëta

Uashington, 30 janar 2026 (MIA) - Të paktën 85 persona humbën jetën në SHBA, nga Teksasi në Nju Xhersi, si pasojë e struhisë së borës dhe temperaturave të ulëta të cilat ranë edhe deri në 40 gradë nën zero, kumtuan autoritetet lokale.

Gjysma e rasteve të vdekjes janë raportuar në Tenesi, Misisipi dhe Luiziana. Ndërsa disa vdekje i janë atribuar hipotermisë, të tjera dyshohet se lidhen me ekspozimin ndaj monoksidit të karbonit, për shkak të burimeve të nxehtësisë të përdorura në zonat ku nuk kishte energji elektrike.

Më shumë se 230,000 shtëpi dhe biznese mbetën pa energji elektrike deri mbrëmë, sipas faqes së internetit të ndjekjes së ndërprerjeve Poweroutage.us, pasi një stuhi dimërore përfshiu pjesë të mëdha të SHBA-së gjatë fundjavës. Ndërprerjet më të këqija mbeten në Misisipi dhe Tenesi, me rreth 87,000 klientë pa energji elektrike në secilin shtet federal.

Meteorologët njoftojnë se temperaturat nën zero do të vazhdojnë në lindje të HBA-së deri në shkurt, dhe ka një shans të lartë për reshje të dendura dëbore këtë fundjavë në Karolinën e Veriut dhe të Jugut, Virxhinia dhe Xhorxhian verilindore. Bora është gjithashtu e mundur në pjesë të Karolinës së Veriut, si dhe përgjatë Bregut Lindor nga Merilendi në Mejn.

Me një valë tjetër të ftohti të rrezikshëm që po lëviz drejt jugut të SHBA-së duke filluar nga sot, ekspertët paralajmërojnë për një rrezik në rritje të hipotermisë për banorët në pjesë të Misisipit dhe Tenesit, të cilët po hyjnë në ditën e gjashtë pa energji elektrike në temperatura nën zero.

Shërbimi meteorologjik kombëtar amerikan tha se ajri i Arktikut që lëviz në juglindje sot do të shkaktojë që temperaturat tashmë të ngrirjes të bien në minus 10 gradë Celsius në qytete si Neshvill.

Qindra anëtarë të Gardës Kombëtare u mobilizuan në Misisipi dhe Tenesi të mërkurën për të pastruar mbeturinat dhe për të ndihmuar njerëzit e bllokuar në makina ose shtëpi. Guvernatori i Misisipit, Tejt Rivs, tha se trupat e Gardës Kombëtare po shpërndanin ushqim, batanije dhe furnizime të tjera me kamionë dhe helikopterë, ndërsa guvernatori i Tenesit, Bill Li, tha se ekipet e ndihmës së shpejtë kishin shpërndarë më shumë se 600 njësi ngrohjeje dhe më shumë se 8,300 litra benzinë ​​dhe naftë. sa/

Foto: Garda kombëtare e Misisipit në X

QËNDRONI TË LIDHUR