BallkanBallkan.PortalKorrespondentë Botë

Haradinaj: Gjendja në arsimin e Kosovës është e vështirë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj lidhur me rezultatet e testimit të nxënësve të shkollave të mesme për vitin 2018 të realizuar në kuadër të programit PISA të Organizatës për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim (OECD) ka vlerësuar se gjendja në arsim në Kosovë është e vështirë, njofton korrespondenti i MIA-s në Prishtinë.

Prishtinë, 3 dhjetor 2019 (MIA) – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj lidhur me rezultatet e testimit të nxënësve të shkollave të mesme për vitin 2018 të realizuar në kuadër të programit PISA të Organizatës për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim (OECD) ka vlerësuar se gjendja në arsim në Kosovë është e vështirë, njofton korrespondenti i MIA-s në Prishtinë.

Sipas rezultateve të publikuara sot, Kosova gjendet në vendin e 77-të të listës prej 79 shteteve ku është kryer testimi dhe pas saj gjenden Republika Dominikane (78) dhe Filipinet (79).

Haradinaj ka thënë se në periudhën e kaluar janë ndërmarrë masa për përmirësimin e situatave në arsim, por që nevojitet përkushtim më i madh në cilësinë e mësimit.

“Mendoj se personeli dhe të gjithë ata të cilët janë përfshirë duhet të jenë më të sinqertë lidhur me situatën në arsim. Nuk mund të mohohet se kemi situatë të vështirë. Çdoherë bëhen përpjekje për përmirësimin e infrastrukturës, por duhet të mbahet llogari për cilësinë”, ka thënë Haradinaj.

Mossuksesin në testimin e fundit e ka pranuar edhe ushtruesi i detyrës ministër i Arsimit të Kosovës, Shiqri Bytyqi i cili ka deklaruar se ka pritur rezultat më të mirë gjatë këtij viti sesa në vitet e kaluara, kur nxënësit kosovarë poashtu kanë shënuar rezultate jo të mira.

Gjatë këtij viti, Maqedonia ka rezultatin e 69-të të testimit dhe është e dyta më keq e ranguar nga vendet e rajonit. Rezultate më të mira ka shënuar Kina, ndërsa ata nga Singapori janë të dytët. Më mirë nga vendet evropiane është e ranguar Estonia në vendin e pestë, ndërsa nga vendet e rajonit Sllovenia është në vendin e 21-të, Kroacia e 29-ta, Greqia e 42-ta, Serbia në vendin e 45-të, Mali i Zi i 52-të, Bullgaria 54, Shqipëria 61 dhe Bosnje Hercegovina në vendin e 62-të. ia/fab

 

 

 

Таг
Back to top button
Close
Close