BallkanBallkan.Portal

Haradinaj e përshëndeti marrëveshjen Kosovë – Serbi për qarkullim hekurudhor dhe rrugor

Ish -kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një shkrim në Tuiter, ka thënë se e duartroket nënshkrimin e sotëm të marrëveshjes në Munih me qëllim të ripërtëritjes së qarkullimit hekurudhor dhe rrugor mes Kosovës dhe Serbisë.

Prishtinë, 14 shkurt  2020 (MIA) – Ish -kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një shkrim në Tuiter, ka thënë se e duartroket nënshkrimin e sotëm të marrëveshjes në Munih me qëllim të ripërtëritjes së qarkullimit hekurudhor dhe rrugor mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai shton se tani është koha për finalen e madhe mes këtyre dy shteteve.

“E duartrokas vizionin dhe lidershipin e Riçard Grenell dhe presidentit amerikan për udhëheqje dhe lehtësim efektiv të normalizimit dhe funksionimit të hekurudhave dhe autostradave që lidhin Kosovën dhe Serbinë. Tani është e nevojshme finalja e madhe, njohja reciproke si ka potencuar presidenti amerikan në dy letrat e vitit të kaluar”, ka shkruar Haradinaj.

Sot është nënshkruar marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për hekurudhën dhe autostradën që lidh dy shtetet.

Kjo është bërë nën prezencën e ambasadorit amerikan Grenell dhe presidentëve të dy shteteve Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq.

Në ceremoninë e nënshkrimit ka marrë pjesë edhe ambasadori Filip Kosnet dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq.

Përmes këtyre letrave, Kosova dhe Serbia shfaqin gatishmërinë për rihapjen e rrugëve që janë pjesë e korridoreve hekurudhore dhe rrugore si dhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy kryeqytetet me njëri-tjetrin, ashtu si edhe me Evropën.

Kjo marrëveshje është arritur me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Grenell që njëherit është edhe i Dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan Donald Tramp për dialogun Kosovë-Serbi.

Në muajin janar, Kosova dhe Serbia nënshkruan edhe ujdinë e cila erdhi befasishëm për rihapjen e linjës ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit. mb/

Таг
Back to top button
Close
Close