0_MIA Investigon.PortalE përzgjedhur

Hakmarrja e Iranit – sulme ndaj ushtrisë amerikane në Irak

Si hakmarrje ndaj vrasjes së gjeneralit Sulejmani, Irani i sulmoi dy baza ushtarake në Irak, të shfrytëzuara prej amerikanëve. Presidenti amerikan Donald Tramp reagoi mjaft qetë për sulmet raketore.

Dojçe Vele – Bon

8 janar 2020

Si hakmarrje ndaj vrasjes së gjeneralit Sulejmani, Irani i sulmoi dy baza ushtarake në Irak, të shfrytëzuara prej amerikanëve. Presidenti amerikan Donald Tramp reagoi mjaft qetë për sulmet raketore.

Dy prej bazave ushtarake në Irak, të cilat i shfrytëzojnë edhe ushtarët e SHBA-së, sipas burimeve amerikane, kanë qenë cak i numrit më të madh të sulmeve me raketa balistike të gjuajtura nga Irani. Bëhet fjalë për bazën e avicaionit ajror Ain al-Asad në Irakun qendror dhe për bazën në qytetin verior Erbil, kumtoi Pentagoni.

Deri më tani nuk ka raporte për viktima. “Jemi duke punuar në vlerësime fillestare për dëmet”, thuhet nga Ministria amerikane e Mbrojtjes, me plotësimin se janë duke u ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e personelit amerikan, partnerët dhe aleatët në rajon.

“Gjithçka është në rregull”

Presidenti amerikan Donald Tramp, pas seancës emergjente të ekipit të tij kombëtar të sigurisë, shkroi se situata akoma është duke u sonduar. “Gjithçka është mirë!”, shkroi Tramp në Tuiter, duke shtuar: “Ne disponojmë me ushtrinë më të fuqishme dhe më të pajisur në mbarë botën!”. Për sot Tramp paralajmëroi deklaratë të tijën.

Fjalim gjatë ditës së sotme paralajmëroi edhe presidenti iranian Hasan Rohani. Televizioni shtetëror iranian njofton se në sulmet janë vrarë 80 “terroristë amerikanë”, ndërsa janë dëmtuar rëndë helikopterë dhe pajisje tjetër ushtarake të ushtrisë amerikane. Ushtria iraniane i ka gjuajtur 15 raketa ndaj caqeve amerikane, asnjë nuk është pritur.

Mediat pohojnë se ushtarët amerikanë të stacionuar në Irak kanë marrë paralajmërim për sulmin iranian me raketa. Falë alarmit në kohë, ushtarët kanë pasur kohë të strehohen në bunkerë, njofton Si-En-En, duke iu referuar një pjesëtari të ushtrisë amerikane.

Bllokim i hapësirë ajrore në Irak

Disa orë para sulmit iranian, Tramp paralajmëroi: “Nëse Irani ndërmerr diçka që nuk guxon, vendi do të ballafaqohet me pasoja. Edhe atë shumë të fuqishme.”

Spikerja e Kongresit, Nensi Pelosi i bëri thirrje Iranit që të ndalojë me dhunën, ndërsa Qeverisë së Trampit që t’i ndalojë të gjitha “provokimet e panevojshme”. Kundërshtarja e Trampit dhe demokratja në Dhomën Përfaqësuese, që para mesazhit të presidentit, shkroi në Tuiter: “Amerika dhe bota nuk duhet të lejojnë kurrfarë lufte”.

Irani kumtoi për “sukses të plotë”

Garda revolucionare iraniane kumtoi se baza Ain al-Asad është “shkatërruar tërësisht”, sulmet me raketat balistike të tipit tokë-tokë ndaj bazës së “okupuar prej amerikanëve” kanë qenë “sukses i plotë në çdo pikëpamje”. Sulmet me raketa janë vetëm një hap fillestar, deklaroi komandanti, duke e paralajmëruar “djallin e madh” SHBA-në, të mos bëjë kundërsulme, pasi çdo reagim amerikan do të pritet me reagim akoma më të fuqishëm, thuhet në kumtesën e njësitit elit.

Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Mohamed Xhavad Zarif vlerëson se sulmet iraniane kanë qenë “akt i arsyeshëm i vetëmbrojtjes”. Njëherësh ai në Tuiter theksoi: “Ne nuk synojmë drejt eskalimit apo luftës, por do të luftojmë kundër çfarëdo agresioni”.

Në Irak janë stacionuar rreth 5.000 ushtarë amerikanë, të cilët e kryesojnë aleancën ndërkombëtare ushtarake në luftën kundër milicisë terroriste Shteti Islamik. Bazat amerikane në Irak kohën e fundit shumë shpesh janë sulmuar nga milicitë lokale shiite, të mbështetur nga Irani. Republika Islamike u betua për hakmarrje për vrasjen e gjeneralit iranian Kasem Sulejmani në sulmin ajror amerikan në Irak javën e kaluar.

Ushtarët gjermanë nuk janë plagosur

Ushtarët e Bundesverit, të stacionuar në Erbil, nuk janë lënduar në sulmet raketore iraniane. “Jemi në kontakt me ushtarët, ata ndjehen mirë”, ka deklaruar zëdhënësi i shtabit komandues në Potsdam. Në Erbil për momentin janë stacionuar 115 ushtarë gjermanë.

 

Back to top button
Close
Close