BallkanBallkan.PortalKorrespondentë Botë

Grenel: Nuk jam në Kosovë për debat politik, por për zhvillimin ekonomik të rajonit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjermani dhe i dërguari special i presidentit Donald Tramp për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Riçard Grenel arriti mbrëmë në Prishtinë, ku u prit nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Prishtinë, 23 janar 2020 (MIA) – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjermani dhe i dërguari special i presidentit Donald Tramp për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Riçard Grenel arriti mbrëmë në Prishtinë, ku u prit nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Para darkës joformale në njërin prej restoranteve të Prishtinës, Grenel dhe Thaçi dhanë deklaratë për mediat, me ç’rast diplomati amerikan theksoi se në Kosovë nuk ka ardhur për të udhëhequr debate politike dhe të intervenojë në formimin e qeverisë së re të Kosovës, por ka ardhur për t’i promovuar politikat e presidentit Tramp për zhvillimin ekonomik, si në Kosovë dhe në Serbi, ashtu edhe në të gjithë rajonin.

“Duam ta zhvillojmë ekonomikisht këtë rajon. Të rinjtë kanë nevojë për punë, kjo është politika e presidentit Tramp. Ekonomia në SHBA po përjeton ekspansion, sepse kemi thënë se njerëzit duhet ta kenë pushtetin”, ka thënë Grenel.

Ambasadori amerikan në Berlin e theksoi se presidenti Tramp është shumë i interesuar për arritjen e  një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, me qëllim që të dy vendet të angazhohen për përparimin ekonomik.

“Presidenti Tramp ka qenë i përqendruar në këtë, duke thënë: Kur e keni ekonominë të fuqishme, kur keni njerëz që marrin pjesë në ekonomi me mënyra të reja, me biznese të reja, çështjet politike bien, sepse atëherë njerëzit përqendrohen në jetën e tyre të përditshme. Për këtë jam këtu dhe nuk dua të kyçem në debatin politik, sepse kjo po na lë prapa. Dua të shikoj problemet që i kemi, e më pas t’i çojmë Kosovën dhe Serbinë përpara”, deklaroi Grenel.

Presidenti i Kosovës e falënderoi të dërguarin e presidentit amerikan për ndërmjetësimin në arritjen e marrëveshjes për hapjen e linjës ajrore midis Prishtinës dhe Beogradit dhe shprehu besim se, me ndërmjetësimin e SHBA-së, shumë shpejt do të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

“E falënderoj ambasadorin që e vizitoi Kosovën. Dua ta falënderoj për marrëveshjen që e arritëm për linjën ajrore Prishtinë-Beograd. Roli i SHBA-së është i padiskutueshëm dhe me presidentin Tramp do të arrijmë një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Thaçi.

Diplomati amerikan gjatë ditës së sotme do të ketë takime zyrtare me krerët shtetërorë dhe politikë në Prishtinë, më pas do të udhëtojë për Beograd, ku nesër në mëngjes do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. ls/shk/

Таг
Back to top button
Close
Close