0_MIA Investigon.Portal0_Web_AktualeMIA InvestigonShoqëriTemëVideo deklaratë

Gratë viktima të dhunës dekurajohen të kërkojnë strehim për shkak të kushteve nën standarde dhe kohës së kufizuar të qëndrimit

Ai nuk duhet të të godasë, të të mbërthejë duart në qafë ose të të godasë kokën pas murit për t'u konsideruar dhunë në familje. Vetë degradimi, poshtërimi, akuza, bërtitja, gënjeshtra, tradhtia, mbajtja e financave ose ndonjë kontroll mbi ju - është dhunë në familje.

Shkup, 26 shkurt 2021 (MIA) – Ai nuk duhet të të godasë, të të mbërthejë duart në qafë ose të të godasë kokën pas murit për t’u konsideruar dhunë në familje. Vetë degradimi, poshtërimi, akuza, bërtitja, gënjeshtra, tradhtia, mbajtja e financave ose ndonjë kontroll mbi ju – është dhunë në familje. Dhuna në familje nënkupton keqtrajtim, ofendim të ashpër, rrezikim të sigurisë, dëmtim fizik, dhunë seksuale ose dhunë tjetër psikologjike ose fizike që shkakton një ndjenjë pasigurie, kërcënimi ose frike nga bashkëshorti, prindërit ose fëmijët, ose ndonjë person tjetër që jeton në komunitet bashkëshortor ose në një lidhje jashtëmartesore ose shtëpi të përbashkët, si dhe ndaj një ish-bashkëshorti ose personave në një marrëdhënie të ngushtë personale.

Qendrat e kujdesit për gratë viktima të dhunës në familje janë një nga shërbimet më të rëndësishme të nevojshme që gratë të dalin nga rrethi i dhunës, por edhe të qëndrojnë të sigurta. Këto strehimore strehojnë gratë kur ekziston rrezik i menjëhershëm për jetën e tyre dhe kur nuk kanë burime të tjera ku mund të strehohen dhe sistemohen.

Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për MIA-n informon se në territorin e vendit tonë ekzistojnë 11 shërbime të specializuara për kujdesin ndaj viktimave të dhunës në familje në gjashtë rajone planifikuese në të gjithë territorin: Shkup -3, Jugperëndim -1, Lindje -2, Vardar- 2, Juglindja – 1 dhe rajoni i Pellagonisë – 2.

Ata tregojnë se MPPS-ja ka hapur gjithsej tetë qendra: dy Qendra Krizash 24/72 orë: në Prilep dhe në Shtip (akomodimi i viktimave është 24 deri në 72 orë), gjashtë Qendra Rajonale për viktimat e dhunës në familje në Shkup, Veles, Koçan, Sveti Nikollë, Manastir dhe Ohër. Akomodimi i viktimave në këto qendra është të paktën 3 muaj me mundësinë e zgjatjes deri në një vit. Të financuara nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe të menaxhuara nga sektori civil janë gjithsej dy qendra: Qendra e Krizave – Shpresa në Shkup dhe Qendrat për Viktimat e Dhunës në Familje, OJQ Gratë e Qytetit të Shkupit.

Gjithashtu, në territorin e vendit tonë, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka hapur tetë qendra të specializuara këshillimi për viktimat e dhunës/dhunës në familje në shtatë rajone të planifikimit: Shkup, Kumanovë, Tetovë, Kavadar, Shtip, Prilep, Manastir dhe Ohër. Gjithashtu një qendër këshillimi për autorët e dhunës në familje në Shkup.

MPPS thekson se viktimat e dhunës në qendrat e strehimit marrin shërbimet e mëposhtme: mbështetje psiko-sociale, kujdes të përkohshëm (3 muaj + 3 muaj + 6 muaj), shërbime këshillimi, ndihmë juridike, përfshirje në tregun e punës për pavarësi financiare të viktimës, shërbime në lidhje me ushqimin, kujdesin shëndetësor dhe shërbime të tjera në varësi të nevojave të viktimës.

Viktimat dekurajohen nga strehimi në qendrat e strehimit për shkak të kushteve nën standarde dhe qëndrimit të kufizuar

Frosina Ivanovska, një psikoterapiste nga Rrjeti Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, për MIA-n deklaroi se gratë janë të dekurajuara nga aplikimi për strehim për shkak të kushteve nën standarde që marrin dhe kanë frikë se qëndrimi i tyre do të jetë i kufizuar, sepse siç tha ajo, pasi që  ato muaj kanë mbaruar, ato as nuk kanë gjetur një punë, as kanë të ardhura financiare, dhe për kaq kohë procedura e divorcit akoma nuk ka përfunduar.

“Ministria e Punës dhe Politikës Sociale vitin e kaluar ndërmori një hap të madh duke hapur disa strehimore në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, posaçërisht jashtë Shkupit, por prapë mbetet një sfidë sa i përket vetë cilësisë së shërbimit, sepse nuk mjafton vetëm sa të akomodohen tre, gjashtë deri në maksimum prej një viti në atë qendër strehimi, por në të vërtetë në atë periudhë të pajiset me gjithçka që i ofrohet ligjërisht si një mundësi që gruaja pas kësaj të mund të vazhdojë një jetë të re pa dhunë, dhe të mos ndiejë se ajo ka qenë vetëm e mbyllur, se nuk bëri asnjë përparim, as në mënyrën se si ndihet dhe duket, as në ndjenjën që tani mund të funksionojë në mënyrë të pavarur, veçanërisht pasi shumica e tyre nuk kanë asnjë pronë dhe nuk kanë ku të shkojnë ose familja e gjerë ka kapacitet të kufizuar në mënyrë që ato të mund të vendosen atje. Realisht është vërtet e nevojshme që dhe kur ofrohet ky shërbim, shumë shpesh nga përvoja jonë e grave që marrin shërbime të tjera është se dekurajohen kur dëgjojnë se cilat janë kushtet ose cilat janë afatet. Kjo i frikëson, i frikëson dhe i dekurajon ato të mos vendosen në një qendër strehimi”, tha Ivanovska.

Sipas saj ajo që duhet të sigurohet për çdo grua me fëmijët e saj që do të vendoset në një qendër strehimi është të jetë e sigurt, gjë që duhet të garantojë vetë qendra, ushqimin, produktet e higjienës personale dhe gjithçka që është e nevojshme për funksionimin e përditshëm. Ivanovska thekson se, megjithatë, është e nevojshme të sigurohet mbështetje dhe këshillim i vazhdueshëm psiko-social.

“ Për të kapërcyer traumën nga dhuna e përjetuar i nevojiten, kujdesi shëndetësor, ndihma juridike, fuqizimi ekonomik dhe mbështetja e gruas në vazhdimin e rregullt të shkollimit, nevojitet arsimimi i vetë fëmijëve. Shërbimi në vetvete është shumë kompleks për shkak të shumë faktorëve të përfshirë për sa kohë që ajo jeton në atë strehim. Ky është një shërbim kompleks dhe për këtë arsye këto shërbime, përkatësisht qendrat e strehimit financohen nga ministritë ose vetëqeverisjet lokale brenda të cilave hapen strehimore të tilla”, tha Ivanovska.

Shtëpi për strehim të hapur –strehë pasi viktimat të kalojnë qëndrimin e tyre në qendrat e strehimit

Shtëpia për strehim të hapur funksionon brenda Rrjetit Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje që nga marsi i vitit të kaluar.

Ivanovska theksoi se kjo shtëpi është një strehë për gratë pasi ato të kalojnë në qendrën e strehimit, respektivisht pasi rreziku nuk ekziston më ose është shumë i vogël, sepse, siç thotë ajo, kur ato largohen për tre deri në gjashtë muaj, janë marrë masa të përkohshme të mbrojtjes mbi autorin e dhunës.

“Rreziku zvogëlohet, ato përsëri ose nuk kanë punë ose kanë shumë pak të ardhura financiare dhe nuk kanë mundësi të jetojnë me qira me fëmijët e tyre dhe kjo është arsyeja pse brenda kësaj shtëpie gratë mund të qëndrojnë nga gjashtë në 24 muaj dhe të marrin mbështetje në për sa i përket strehimit, arsimimit të fëmijëve, për sa i përket fuqizimit të tyre ekonomik përmes një procesi këshillimi në karrierë, mbështetje financiare dhe psiko-sociale. Të pesë komponentët sigurohen vazhdimisht. Çdo gruaje i duhet një proces i ndryshëm në një kohë të ndryshme, i nevojiten të pesë komponentët në mënyrë që të jetë e qëndrueshme,” tha ajo.

Ajo thekson se viktima ndërsa është akomoduar në Shtëpi nuk paguan shpenzime të përgjithshme, nuk paguan asgjë në lidhje me ushqimin dhe ilaçet dhe thotë se ajo praktikisht mund të bëjë kursime në mënyrë që pas një kohe të vazhdojë të funksionojë e pavarur.

Nga Ministria e Brendshme për MIA-n informojnë se vitin e kaluar ata regjistruan gjithsej 992 krime në lidhje me dhunën në familje. Numri i përgjithshëm i autorëve është 1025, nga të cilët 930 janë burra dhe 95 gra. Vitin e kaluar kishte 1,025 viktima të dhunës në familje, nga të cilat 212 ishin burra dhe 840 ishin gra.

Vitin e kaluar, janë kryer gjithsej 486 shkelje për dhunë në familje. Numri i përgjithshëm i autorëve është 558, nga të cilët 471 janë burra dhe 87 janë gra.

Numri i ankesave të dhunës në familje vitin e kaluar ishte 3759, nga të cilat u raportuan 3857 autorë, nga të cilët 3150 ishin burra dhe 707 ishin gra. Numri i përgjithshëm i viktimave është 3839, nga të cilat 1320 janë burra dhe 2519 janë gra.

Fatime Fazliji

Video: Asllan Vishko

Foto: Darko Popov

 

Таг
Back to top button
Close
Close