E përzgjedhur

Gazetarët e Amerikës së Jugut viktima të spiunazhit

Të jesh gazetar në Amerikën Latine nuk ka qenë kurrë e lehtë, qoftë e krahut të djathtë apo e krahut të majtë. Edhe pse jeta e tyre nuk është në rrezik të drejtpërdrejtë,  gazetarët mund të jenë të sigurt se të paktën janë përgjuar dhe janë të dyshuar se punojnë kundër qeverisë.

12 maj 2020

Dojçe Vele

Të jesh gazetar në Amerikën Latine nuk ka qenë kurrë e lehtë, qoftë e krahut të djathtë apo e krahut të majtë. Edhe pse jeta e tyre nuk është në rrezik të drejtpërdrejtë,  gazetarët mund të jenë të sigurt se të paktën janë përgjuar dhe janë të dyshuar se punojnë kundër qeverisë.

Revista kolumbiane “Semana” kohët e fundit zbuloi një skandal që përfshin sistemin e inteligjencës ushtarake të Kolumbisë e cila përgjon në mënyrë sistematike dhe monitoron gazetarët, vendas dhe të huaj, që jetojnë në vend. Sigurisht, botuesit dhe shoqatat e gazetarëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë ngritën zërin menjëherë dhe i bënë thirrje presidentit kolumbian Ivan Duke të ndalojë menjëherë mbikëqyrjen e tillë dhe të ndërmarrë veprime kundër atyre që janë përgjegjës për këtë. Por, madje as organizatat ndërkombëtare nuk janë befasuar veçanërisht nga kjo praktikë, e cila në Amerikën Latine duket se është “normale”.

Edhe Natali Sautvik, koordinatore e programit të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (KMG), kujton se zbulimet e tilla janë një traditë e trishtuar në Kolumbi. Edhe nëse qeveria fillon me sukses një hetim, kjo zakonisht çon në shkarkimin e “peshqve të vegjël”, të cilët mezi janë përgjegjës për procesin, dhe problemi mbetet.

“Hetimet nuk janë aspak transparente dhe shteti nuk ka gjasa të jape përgjigje për veprimet e tij,” tha Sautvik.

I të njëjtit mendim është edhe Kristofer Barns, kryetari i Shoqatës së Gazetarëve Mbarëamerikanë (SIP).

“Aktivitete të tilla të paligjshme shkelin të drejtën e padiskutueshme të privatësisë të garantuar për të gjithë qytetarët,” paralajmëroi Barns. Për më tepër, në demokracitë normale, gazetarët, si avokatët, mjekët dhe madje edhe klerikët, janë veçanërisht të mbrojtur nga përgjimet. “Sepse përndryshe minohet besimi i nevojshëm që gazetarët kanë nevojë për informatorët e tyre,” kujtoi Barns.

Përgjojnë si e majta ashtu edhe e djathta

Protestës iu bashkua edhe Hoze Melendez, gazetar në gazetën meksikane “El Universal”, por shtoi se në fakt kjo ishte një “praktikë e zakonshme” në të gjithë Amerikën Latine.

“Gazetarët janë vërejtur gjithmonë, pavarësisht nga ideologjia apo periudha, situata ka qenë në këtë mënyrë të paktën pesë dekadat e fundit,” tha Rikardo Troti, drejtor ekzekutiv i shoqatës SIP. Lista është e gjatë dhe përfshin autoritetet e krahut të djathtë ose ushtarakë të Argjentinës, Brazilit, Paraguait, Uruguait ose Kilit, si dhe qeveritë e krahut të majtë të Nikaraguas dhe të mos përmendim Kubën. Në shumë vende, pajisjet e përgjimit kanë mbetur të hapura, mundet të kenë mbetur edhe të njëjtët njerëz që ndjekin gazetarët, edhe kur qeveritë ndryshuan ideologjinë e tyre, i tillë është rasti në Venezuelë edhe pas Çavezit, por edhe në Ekuador, të paktën në ambasadën e këtij vendi në Londër, Juliajan Asanzh  gjeti strehim.

Në letër dhe në ligje, madje edhe në vendet e Amerikës Latine, zakonisht shkruhet se qytetarëve u lejohet të përgjohen vetëm nëse dyshohen për lidhje me krimin e organizuar ose organizatat terroriste. Teorikisht, është i nevojshëm një urdhër gjyqësor që përgjimet dhe vëzhgimet e tilla të kryhen.

Në ligje shkruhet çdo gjë

Aktivistët e të drejtave të gazetarëve paralajmërojnë se një praktikë e tillë tashmë po fillon në Meksikë, duke kujtuar se qeveria meksikane ishte gjithashtu një blerës i një programi sekret të ndjekjes së telefonit celular, Pegas, një produkt i Izraelit, por pas këtij programi janë shërbimet sekrete të shumë vendeve perëndimore.

Është e sigurt që programi është përdorur nga autoritetet meksikane kur Enrike Nieto ishte president, mbase edhe paraardhësi i tij, dhe të pakta janë mundësitë që presidenti aktual, Andres Obrador, i fiki këto pajisje, të cilat mund të përdoren për të spiunuar gazetarët, aktivistët dhe kundërshtarët politikë.

Dihet gjithashtu se vendet e tjera të Amerikës Latine kanë blerë programe të ngjashme dhe pajisje për mbikëqyrje, Guatemala, Panamaja ose Hondurasi. “Shumë vende të tjera janë përpjekur që t’i marrin  ato dhe nuk dihet nëse ata tashmë i kanë siguruar,” tha Natalie Sautvik. Ka shumë të ngjarë që shërbimet sekrete të jenë pas sulmeve në internet në gazetat “El Salvador”, “La prensa grafiko” dhe “El diario de hoj”.

Organizatat ndërkombëtare paralajmërojnë unanimisht se të gjitha vendet e Amerikës Latine kanë disa ligje që mbrojnë privatësinë dhe punën e mediave, por në fakt është e vështirë për këdo që të ketë një organ për të monitoruar nëse shteti i respekton këto ligje.

Kështu, rezulton se ky është një problem i “dobësive të institucioneve juridike dhe natyrës autoritare të pushtetit ekzekutiv” në të gjithë rajonin, konkludon Rikardo Troti. Dhe, edhe një herë, paralajmëron se çfarë nënkupton kjo në të vërtetë: “Mbikëqyrja dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë një kërcënim serioz për lirinë e mediave dhe të drejtën e opinionit për t’u informuar plotësisht”.

 

Таг
Back to top button
Close
Close