0_Maqedoni.Portal0_Web_Ballina - Sllajder0_Web_Përzgjedhja e redaktoritMakedonija.SlajderPolitikë

Flamuri i Maqedonisë së Veriut valon para selisë së NATO-s, Maqedonia e Veriut – anëtarja e 30-të

Me ceremoni solemne me ngritjen e flamurit të Maqedonisë së Veriut, dje në selinë e NATO-s në Bruksel u shënua inkuadrimi zyrtar i vendit në Aleancën Veriatlantike.

Shkup, 31 mars 2020 (MIA) – Me ceremoni solemne me ngritjen e flamurit të Maqedonisë së Veriut, dje në selinë e NATO-s në Bruksel u shënua inkuadrimi zyrtar i vendit në Aleancën Veriatlantike.

SI pjesë e epilogut solemn dhe zyrtar të inkuadrimit të vendit si anëtare e barabartë në NATO, njëkohësisht i ngritën tre flamuj të Maqedonisë së Veriut, dy në Belgjikë dhe një në SHBA. Ceremonia e ngritjes së flamurit u mbajt në mënyrë simultane në të njejtën kohë edhe në selinë e Komandës së bashkuar për operacione (Shape – Mons) edhe në selinë e Komandës së bashkuar të NATO-s për transformime në Norfolk të Virxhinisë.

Flamuri para selisë së NATO-s u ngrit derisa u intonua himni i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Para ngritjes solemne të flamurit, mirëseardhje vendit tonë në Aleancën Veriatlantike i dëshiroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke cekur se ky është moment historik për vendin tonë.

“Ne sot jemi mbledhur këtu t’i dëshirojmë mirëseardhje Maqedonisë së Veriut në familjen e NATO-s me ngritjen e flamurit, Tridhjetë flamuj tani do të valojnë së bashku si simbol i bashkimit tonë dhe solidaritetit. ky është moment historik për Maqedoninë e Veriut që vjen pas vitesh përkushtim dhe angazhim për reforma”, ka thënë Stoltenberg.

Ai theksoi se Marrëveshja e Prespës e mundësoi inkuadrimin në NATO dhe mundësoi marrëdhënie të mira fqinjësore dhe një të ardhme të ndritshme për Maqedoninë e Veriut.

“Puna juaj këmbëngulëse e mundësoi këtë ditë. Kjo është ditë për stabilizim, siguri dhe paqe të tërë Ballkanit Perëndimor”, tha Stoltenberg.

Ai potencoi se në kohërat si kjo, miqtë dhe aleatët janë më të rëndësishëm se kurrë më parë, ndërsa Maqedonia e Veriut i ka miqtë dhe aleatët më të mirë në botë. Së bashku jemi më të fuqishëm. Mirë se erdhët në NATO!, porositi Stoltenberg.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, menjëherë pas ceremonisë ka shënuar në Tuiter: “Moment historik. 30 flamuj janë ngritur para selisë së NATO-s, duke i dëshiruar edhe mirëseardhje Maqedonisë së Veriut si anëtarja jonë më e re!”

Ditë historike për NATO-n dhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Jemi këtu qëndrojmë fuqishëm dhe stabil para selisë qendrore të NATO-s, më në fund së bashku të gjithë aleatët. Flamuri jonë valoi së bashku me 29 flamujt tjerë të aleatëve të NATO-s, deklaroi sot u.d.shef i Misionit të përhershëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut pranë NATO-s, Zoran Todorov në ceremoninë solemne në selinë e NATO-s në Bruksel.

“Me anëtarësimin në NATO, ardhmëria jonë do të jetë stabile, e sigurt dhe me prosperitet. Edhe ne do të sjellim vendime për çështje më të rëndësishme në kuadër të aleancës më të fuqishme, më të organizuar dhe më efikase në historinë e njerëzimit. Prej tash e tutje nuk jemi vetëm”, ka thënë Todorov.

Ne jemi të vetëdijshëm, shtoi ai, se NATO-ja nuk është vetëm për stabilitetin dhe sigurinë tonë. Si vend i vogël në zemrën e Ballkanit e cila e mori pavarësinë e saj para pothuajse 30 viteve në mënyrë të qetë, çështja e sigurisë tonë, natyrisht është e para dhe më e rëndësishme, megjithatë inkuadrimi ynë në NATO konfirmon një arritje më të rëndësishme dhe ajo është garancia për mbrojtje të vlerave demokratike të botës moderne perëndimore të demokracisë parlamentare të cilat i ndajnë një miliardë njerëz të kësaj pjese të botës, ndërsa i ndajmë edhe ne – të drejtat e njeriut, qeverisjen e të drejtës, qeverisjen e mirë dhe mbrojtjen sociale për të gjithë.

“Anëtarësimi ynë në Aleancë, thellë jam i sigurt se është triumf i tre segmenteve integrale nga Qeveria jonë. Politika e jashtme dhe demokracia e saj profesionale, Armata dhe politika jonë e guximshme, gjithëpërfshirëse dhe themelore mbrojtëse, por mbi të gjitha është triumf i tërë shoqërisë së Maqedonisë së Veriut dhe e tërë qytetarëve tanë të Republikës”, ka thënë Todorov.

Ai porositi se Maqedonia e Veriut është e gatshme t’i ndërmarrë të gjitha obligimet nga anëtarësimi në NATO.

Ceremoninë solemne të ngritjes së flamurit të Maqedonisë së Veriut para selisë së NATO-s në Bruksel, përmes video lidhjes në Shkup e ndoqi edhe kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, pas çka pati edhe fjalim të shkurtë.

Spasovski tha se sot po e realizojmë suksesin më të madh të vendit tonë nga pavarësia e tij e deri sot. Flamuri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot me krenari është valvitur në rrethin e flamujve të familjes aleatë të NATO-s. Rruga ishte e gjatë, por shpërblimi që arriti sot me shikimin e flamurit të vendit tonë në selinë e NATO-s në Bruksel, e merituam.

“Bëhuni krenarë qytetarë të mi të respektuar. Flamuri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, është simbol i ardhmërisë së sigurt dhe prosperitet të vendit tonë. Me të vërtetë ne sot po zhvillojmë një betejë tjetër, betejë me koronën. Por, për një moment do t’i lejojmë vetes të gëzohemi, të regjistrohet se sot është ditë për tu mbajtur mend, ditë historike. Ditë kur flamuri ynë është duke valuar së bashku dhe barabartë me të tjerët nga familja e aleancës Veriatlantike, aleanca më e fuqishme ushtarake në historinë e njerëzimit”, tha Spasovski.

Ai theksoi se shumë shpejtë, pas pavarësisë së vendit tonë, u nisëm në realizimin e këtij qëllimit tonë strategjik, jemi ballafaquar dhe i kemi tejkaluar të gjitha sfidat, ndërsa gjatë tre viteve të fundit i kemi bërë reformat kyçe, i kemi marrë vendimet historike që e kanë lëvizur fuqimisht procesin tonë euroatlanik, i cili ishte seriozisht i rrezikuar.

“Me vendimet e mëdha jemi bërë shtet më i mirë dhe shoqëri më e mirë, dhe shpërblimi erdhi me meritë. Jeni të bindur se do ta fitojmë betejën me koronavirusin dhe do ta vazhdojmë rrugën tonë në të cilën e kemi vendosur realizimin e qëllimit tjetër strategjik – përfundim të suksesshëm të procesit të negociatave dhe anëtarësim në BE. Do të vazhdojmë të punojmë në zbatimin e suksesshëm të proceseve për shoqëri më të mirë edhe për bashkësi më të mirë shtetërore për të gjithë qytetarët tanë. Shtet, i cili do të mbetet fqinj i mirë dhe i sinqertë në të gjitha vendet në rajonin tonë, shtet i cili do të përforcojë kapacitetet e veta dhe i cili do të bëhet partner i të gjithë aleatëve tanë në NATO në sfidat globale për ruajtje të paqes. Aleat prej të cilit munden të gjithë partnerët tjerë në NATO të presin përkrahje dhe aleat, i cili çdoherë do të mund të llogarisë në vendet tjera anëtare”, tha Spasovski.

 Erdhi edhe ajo ditë! Flamuri i Maqedonisë me krenari valon mes 29 flamujve të aleatëve të NATO-s. Ardhmëri e sigurt!, ka shënuar sot shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov në profilin e tij zyrtar në Fejsbuk.

“Një shtet është i fuqishëm aq sa e ka të fuqishme armatën. Një shtet është i fuqishëm aq sa e ka të fuqishme ekonominë. Një shtet është i fuqishëm aq sa i ka të fuqishme institucionet demokratike. Por një shtet është po aq i fuqishëm, sa i ka të shumtë dhe të fuqishëm aleatët. Në rrethana normale dhe të jashtëzakonshme. do t’ia dalim!”, porositi në statusin e tij në Fejsbuk, Dimitrov, i cili e ndoqi ceremoninë e tij të ngritjes së flamurit të vendit tonë pasdite para selisë së NATO-s në Bruksel përmes video lidhjes së bashku me kryeministrin Oliver Spasovski dhe tërë kabinetin e ministrave në ndërtesën e Qeverisë.

Përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë së BE-së, Zhozep Borel e uroi vendin për atë që u bë anëtarja e 30-të e NATO-s. “Dëshiroj ta uroj Maqedoninë e Veriut për atë që u bë anëtarja e 30-të. Ky është hap i rëndësishëm, që plotësisht i konsolidon sigurinë evropiane dhe transatlantike. Me padurim pres të punojmë së bashku edhe në kuadër të bashkëpunimit me BE-së dhe NATO-s”, tha Borel.

Procedura formale për anëtarësim në NATO zyrtarisht u mbyll më 27 mars pas deponimit të instrumentit për inkuadrim drejt Marrëveshjes veriatlantike në Departamentin amerikan të shtetit në Uashington, pasi paraprakisht aleatët në NATO e nënshkruan Protokollin për inkuadrim të Maqedonisë së Veriut në shkurt të vitit 2019, pas çka të gjithë 29 parlamentet kombëtare votuan për ratifikimin e anëtarësimit të vendit në Aleancë. ab/

Таг
Back to top button
Close
Close