• Friday, 27 September 2024

Mexhiti: Propozim- ligji për “branitellat” nuk do të kalojë, a thua nga LSDM-ja nuk ishin të sinqertë kur promovuan konceptin qytetar apo u bënë nacionalistë brenda natës

Mexhiti: Propozim- ligji për “branitellat” nuk do të kalojë, a thua nga LSDM-ja nuk ishin të sinqertë kur promovuan konceptin qytetar apo u bënë nacionalistë brenda natës

Shkup, 26 shtator 2024 (MIA) - Çështja dhe dilema është se si LSDM-ja, partneri i BDI-së e cila për tetë vite e promovoi konceptin qytetar, brenda natës propozon ligj për "branitellat". A nuk ishin të sinqertë kur promovuan një koncept qytetar, apo brenda natës u bënë nacionalistë dhe propozojnë një ligj të tillë?, tha sot zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me Propozim- ligjin për "branitellat" iniciuar nga deputetja dhe ish ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, Mexhiti vlerësoi se LSDM-së nuk i intereson as për "branitellat" e as për UÇK-në, por si të shpëtojnë nga përgjegjësia.

Sipas Mexhitit, nuk ka nevojë për shqetësim, sepse ligji nuk do të kalojë dhe qeveria aktuale, siç tha ai, "historikisht, që nga vitet 1990 deri tani ka shumicën më të qëndrueshme, 78 deputetë, afër dy të tretat dhe ka kapacitet demokratik dhe politik për të zgjidhur problemet në koalicion”.

"Çështja dhe dilema është se si LSDM-ja, partneri i BDI-së e cila për tetë vite promovoi konceptin qytetar në bazë të të cilit mori edhe votat e shqiptarëve dhe ka zyrtarë të lartë shqiptarë në radhët e veta, brenda natës nga koncepti qytetar propozon ligj për "branitellat" përmes ish ministres së Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska. Dilema është nëse nuk kanë qenë të sinqertë kur kanë promovuar një koncept qytetar apo brenda natës janë bërë nacionalistë dhe propozojnë një ligj të tillë, por nuk u intereson as për "branitellat" as për UÇK-në, por e kanë dertin se si të shpëtojnë nga përgjegjësia", nënvizoi Mexhiti në konferencën për media me rastin e kontrolleve të përforcuara të cilësisë së ajrit.

foto/video: MIA