0_Maqedoni.Portal0_Web_Ballina - Sllajder0_Web_Përzgjedhja e redaktoritMakedonija.SlajderMIA InvestigonPolitikëTemë

Ditën e Evropës sivjet vendi e priti me vendimin për fillimin e bisedimeve për në BE

Sot është 9 Maji Dita e Evropës dhe Dita e fitores mbi fashizmin. Dita e Evropës është vendosur si ditë e kujtimit të Deklaratës së ministrit të Jashtëm francez Robert Shuman në vitin 1950, që konsiderohet si hapi i parë i rëndësishëm në themelimin e Bashkimit Evropian.

Shkup, 9 maj 2020 (MIA) – Sot është 9 Maji Dita e Evropës dhe Dita e fitores mbi fashizmin. Dita e Evropës është vendosur si ditë e kujtimit të Deklaratës së ministrit të Jashtëm francez Robert Shuman në vitin 1950, që konsiderohet si hapi i parë i rëndësishëm në themelimin e Bashkimit Evropian.

Ditën e Evropës sivjet vendi e priti me vendimin për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, pasi që në tetor të vitit të kaluar u përball me veto nga Franca. Pas 15 viteve status të kandidatit dhe me mbi dhjetë rekomandime vijuese të KE-së për çeljen e bisedimeve, Këshilli Evropian më 26 mars të këtij viti mori vendim për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut.

– Liderët evropianë arritën marrëveshje politike për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kjo është një mirënjohje për reformat e rëndësishme që janë bërë nga dy vendet, e të cilat treguan vullnet të fuqishëm politik për vazhdimin e rrugës drejt BE-së, publikoi atëherë në Tuiter presidenca kroate e BE-së.

Përkundër pandemisë me Kovid-19, përfaqësues të vendit presin të marrim kornizën e bisedimeve në qershor të këtij viti. Shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov para disa ditëve deklaroi se herët në qershor presim të marrim propozim kornizë të bisedimeve dhe varësisht nga kriza e koronës në periudhë prej disa muajve ajo të jetë e aprovuar dhe të fillojmë me hapin e parë të mirëfilltë në bisedimet – seancën e parë ndërqeveritare.

Për të procesi i bisedimeve është shumë më i rëndësishëm sesa vetë qëllimi përfundimtar – anëtarësimi në BE, duke shtuar se i gjithë shteti është i gatshëm për fillimin e rrugës së bisedimeve. Tha se ideja është që të bëjmë ndryshim real të sistemit dhe shoqërisë, ndërsa çështja e reverzibilitetit në procesin e bisedimeve është hap pozitiv, nëse reformatorët e mirë janë dalluar.

– Konsiderojmë se është mirë që mekanizmi i reverzibilitetit është vegël e fuqishme në duart e BE-së për vlerësimin e vendeve që nuk zbatojnë reforma dhe nuk shtyjnë përpara dhe me këtë të ndihmojnë qytetarët që të dallojnë se diçka është gabim. Kjo do të jetë një vegël e qartë e BE-së që t’u ushtrojë presion qeverive të rajonit që të zbatojnë reforma, bëri të ditur Dimitrovi.

Tetorin e kaluar vendi nuk e mori datën e premtuar për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në vend të kësaj, për herë të parë ishte vendosur në pikëpyetje zgjerimi i mëtejshëm i BE-së, ndërsa Franca, e cila vendosi veto kundër asaj që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të marrin fillimin e bisedimeve, së shpejti pas kësaj doli me non-pejper në të cilin e propozoi dhe arsyetoi mënyrën e re të bisedimeve të vendeve-kandidate.

Mosmarrja e vendimit për bisedime ishte kritikuar ashpër nga vetë përfaqësuesit e BE-së. “Ky është një gabim historik”, ishin fjalët e përfaqësuesve të lartë evropianë, në mesin e të cilëve edhe eurokomesari i atëhershëm i Zgjerimit Johanes Han, i cili në përbërjen e re të KE-së e mori postin e komisarit të Buxhetit dhe Administratës.

– Është e turpshme mosmarrja e datës për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, tha atëherë kryetari i KE-së në largim Zhan Klod Junker, për të cilin mosmarrja e datës paraqiste tradhti të asaj që u ishte premtuar këtyre dy vendeve.

Ambasadori Zhbogar, në intervistën për MIA-n në tetor, menjëherë pas mospendimit për fillimin e bisedimeve, theksoi se zgjerimi mbetet prioritet strategjik për BE-në.

– Porositët gjithçka që u kërkua prej jush, e plotësuat pjesën tuaj. Por, në BE vendimet për këto çështje merren unanimisht, e për fat të keq sërish e prolonguam këtë çështje. E kuptojmë dëshpërimin e qytetarëve dhe politikanëve nga vendimi i Këshillit të Evropës në Bruksel, por mbetemi të përkushtuar ndaj Maqedonisë së Veriut dhe rajonit, tha atëherë Zhbogari.

Metodologjia e re e KE-së është miratuar në fillim të shkurtit të këtij viti. Ajo mbështetet në katër parime kryesore – kredibilitet, menaxhim më të fuqishëm politik, dinamikë dhe besim të dyanshëm. Grupimi në klastere të kapitujve themelorë – sundimi i së drejtës, ekonomia dhe reformat në administratën publike, do të mundësojë diskutime më të hollësishme politike për fushat tematike dhe identifikimin e mundësive për harmonizim dhe integrim të hershëm në politikat e BE-së. Në këto fusha do të duhet të arrihet përparim i mjaftueshëm para se të çelen kapituj tjerë. Nga ana tjetër, janë parashikuar masa më vendimtare për sanksionimin e çfarëdo stagnimi serioz ose të vazhduar, si ngadalësim të bisedimeve, përshtatje të financave dhe tërheqje të përfitimeve nga integrimi më i afërt.

Metodologjia e rishikuar mbështetet në kriteret e njëjta për hyrje në BE, të përcaktuara në Marrëveshjen për BE dhe sipas kritereve të Këshillit Evropian në Kopenhagë që në vitin 1993, që janë shumë të qarta dhe nuk ndryshohen – institucione të qëndrueshme që garantojnë demokraci, sundimin e së drejtës, të drejta të njeriut dhe respektim dhe mbrojtje të minoriteteve, ekonomi funksionale të tregut dhe kapacitet për përballje me konkurrencën dhe fuqitë e tregu në BE, mundësi për ndërmarrje dhe zbatim efikas të obligimeve për anëtarësim. Në rastin me Ballkanin Perëndimor janë përcaktuar kushte plotësuese për anëtarësim, kryesisht lidhur me bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Rruga drejt BE-së: Nga Marrëveshja për stabilizim-asocim në vitin 2002 deri te vendimi për bisedime në vitin 2020

Maqedonia e Veriut prej vitit 2005 është kandidate për anëtarësim në BE.

Vendi në vitin 2001 i pari nga rajoni nënshkroi Marrëveshje për stabilizim-asocim. Në vitin 2004 aplikoi për anëtarësim, ndërsa në dhjetor të vitit 2005 mori statusin e vendit kandidat.

Në vitin 2009, pas disa reformave të thelluara në fushat kryesore, për herë të parë e mori edhe rekomandimin e Komisionit Evropian për fillimin e bisedimeve, paralelisht edhe me regjimin e liberalizuar të vizave dhe prej atëherë e deri në vendimin në mars të këtij viti për fillimin e bisedimeve, KE-ja kishte mbi dhjetë rekomandime për fillimin e bisedimeve me vendin.

Në vitin 2012 është vendosur Dialogu i aderimit në nivel të lartë, i cili futi dinamikë në procesin e reformave për aderim drejt BE-së përmes forcimit të besimit dhe rritjes së perspektivës evropiane të vendit, ndërsa i njëjti ishte fokusuar në sfidat kryesore në pesë fushat si vijon – liria e shprehjes në mediat, sundimi i së drejtës, reforma në administratën publike, reforma zgjedhore, forcim të ekonomisë së tregut.

Rekomandimet e Komisionit për bisedime në vitin 2015 dhe 2016 ishin rekomandime të kushtëzuara – të kushtëzuara me Marrëveshjen e Përzhinës, implementimin e prioriteteve emergjente reformuese dhe mbajtjen e zgjedhjeve korrekte.

Në qershor të vitit 2018 Këshilli i BE-së konstatoi se BE-ja e lë derën të hapur për fillimin e bisedimeve në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, të kushtëzuar me përparim në reformat. Në përputhje me këtë, deri nga mesi i vitit 2019 duhej të tregojmë përparim në implementimin e reformave në gjyqësor, shërbimet e sigurisë dhe administratën publike, si dhe luftën kundër korrupsionit si fusha të administratës publike, si edhe lufta kundër korrupsionit si fusha në të cilat Qeveria i filloi reformat me planin 369.

Vendi ndërkohë në shtator të vitit 2018 e filloi procesin e skriningut, gjegjësisht skriningu sqarues për aderim në Bashkimin Evropian, i cili filloi me Kapitullin 23 – jurisprudencë dhe të drejta fundamentale. Skriningu sqarues përfundoi nga fundi i vitit të kaluar, me çka vendi përfundoi një fazë të rëndësishme që para fillimit zyrtar të bisedimeve.

Në qershor të vitit 2019, në konstatimet e Këshillit të BE-së ishte përmendur se Këshilli e përshëndet fuqishëm Marrëveshjen historike të Prespës dhe Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë dhe e vëren mirë rekomandimin e Komisionit për çeljen e bisedimeve aderuese me RMV-në, të mbështetur në vlerësimin pozitiv të përparimit të arritur dhe përmbushjen e kushteve të përcaktuara nga Këshilli.

“Duke marrë parasysh kohën e kufizuar në dispozicion dhe rëndësinë e lëndës. Këshilli do t’i kthehet kësaj çështjeje në mënyrë që të marrë vendim të qartë dhe thelbësor sa është e mundshme më shpejtë dhe më së voni deri në tetor të vitit 2019”, është vlerësuar në konstatimet.

Në konstatimet e Këshillit të tetorit të vitit 2019, nënvizohet se Këshilli Evropian do të kthehet në çështjen e zgjerimit para Samitit të BE-Ballkani Perëndimor në Zagreb në maj të vitit 2020.

Шуман

Historia e BE-së

Dita e Evropës – 9 Maji, është vendosur si ditë e kujtimit të deklaratës së ministrit të jashtëm francez Robert Shuman në vitin 1950, që konsiderohet si hapi i parë zyrtar në krijimin e BE-së.

Atëherë Shumani e prezantoi propozimin për krijimin e Evropës së organizuar, si opsion për mirëmbajtjen e paqes në kontinentin Evropian. Propozimi i njohur si “Deklarata e Shumanit” konsiderohet si fillim i formimit të asaj që sot paraqet Bashkimi Evropian.

Deklarata ka qenë propozim për armiqtë e mëparshëm, Francën dhe Gjermaninë, të themelojnë një organizatë që bashkërisht do të menaxhojë me industritë e tyre të thëngjillit dhe çelikut, në mënyrë që lufta në Evropë të mos përsëritet asnjëherë.

Fillimisht, aktivitetet kishin të bëjnë me krijimin e tregut të përbashkët për thëngjill dhe për hekur të vendeve themeluese – Gjermani, Francë, Belgjikë, Itali, Luksemburg dhe Holandë. Sot BE-në e përbëjnë 27 vende anëtare, pasi që Britania e Madhe pas të a.q. Bregzit doli edhe zyrtarisht nga Bashkimi më 1 shkurt të këtij viti.

Sivjet Dita e Evropës në mbarë botën do të kremtohet onlajn përmes aktiviteteve të ndryshme në mënyrë që t’u shprehet respekt për solidaritetin shumë evropianëve të cilët ndihmojnë në luftën kundër krizës së koronës.

Neda Dimova Prokiq

Back to top button
Close
Close