BallkanBallkan.PortalKorrespondentë Botë

Dënohet me katër vite burg kosovari që iu bashkua SHI-së në Siri

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me katër vjet burg Agon Misini, të akuzuar për organizim dhe pjesëmarrje në një grup terrorist.

Prishtinë, 2 dhjetor 2019 (MIA) – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me katër vjet burg Agon Misinin, të akuzuar për organizim dhe pjesëmarrje në një grup terrorist, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore, Misini akuzohet se në gusht të vitit 2015, me pasaportë të falsifikuar, kishte udhëtuar në Stamboll, prej nga kishte shkuar në Siri për t’iu bashkëngjitur organizatës terroriste SHI, duke marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë, ku edhe më 26 korrik të vitit 2017, është arrestuar nga forcat kurde, ku ka qëndruar deri më 19 prill 2019, me ç’rast edhe është riatdhesuar në Kosovë.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Misini është shpallur sot nga gjykatësja e Departamentit Special, Shadije Gërguri.

Gjykatësja Gërguri ka njoftuar se në dënimin e shqiptuar do të llogaritet edhe koha që i akuzuari Misini e ka kaluar në paraburgim, prej 20 prillit 2019.

Po ashtu, gjykatësja Gërguri tha se ndaj Misinit do të vazhdohet masa e paraburgimit me aktvendim të veçantë.

Në emër të paushallit gjyqësor, i akuzuari Misini është obliguar të paguajë shumën prej 50 euro. Në fund, gjykatësja Gërguri ka njoftuar se ndaj këtij vendimi i akuzuari ka të drejtë ankese në afatin prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Ndryshe, i akuzuari Misini në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 29 nëntor kishte pranuar fajësinë për veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 7 nëntor 2019, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Agon Misini, për shkak të veprës penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 136 paragrafi 2 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, Misini, më 24 korrik 2015, me paramendim dhe me dashje, si dhe me përgatitje paraprake ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit, ku ka shkuar në territorin e Republikës së Maqedonisë dhe ka kontaktuar me përkrahës të organizatës terroriste SHI, e më pastaj në kohë të pavërtetuar të muajit gusht 2015, me pasaportë të falsifikuar në emër të një personi nga Shkupi përmes Greqisë, ka udhëtuar me autobus për në Stamboll, nga aty ka shkuar në kufi të shtetit të Sirisë, ku i është bashkangjitur SHI.

Më Shumë se 40 shtetas kosovarë mendohet se janë larguar për në Siri në gjashtë-shtatë vitet e kaluara që të luftojnë në amën e ekstremistëve islamikë.

Mbi 70 prej tyre janë vrarë, ndërsa një numër i madh i grave dhe fëmijëve edhe më tej luftojnë në zonat ushtarake.

Sipas të dhënave të policisë së Kosovës, në zonat luftarake në Siri ka  ka edhe disa dhjetëra persona që luftojnë në anën e SHI-së. mb/

Таг
Back to top button
Close
Close