Partitë politike

BDI: 12 milion euro mbështetje financiare për nxënësit dhe studentët

Konferencë për shtyp e përfaqësueses së BDI-së, Rina Purini për ndihmën financiare për nxënësit dhe studentët si pjesë e pakos së tretë ekonomike të miratuar nga Qeveria e RMV-së për rimëkëmbje ekonomike

Shkup, 31 maj 2020

Konferencë për shtyp e përfaqësueses së BDI-së, Rina Purini për ndihmën financiare për nxënësit dhe studentët si pjesë e pakos së tretë ekonomike të miratuar nga Qeveria e RMV-së për rimëkëmbje ekonomike:

Krijimi i sa më shumë mundësive të mira për të rinjtë në Maqedoninë e Veriut është përcaktim strategjik i Bashkimit Demokratik për Integrim. Mbështetja për këtë kategori të qytetarëve është pjesë obliguese (integrale) e të gjitha politikave dhe fushëveprimit tonë si subjekt politik. Kjo mbështetje sidomos është shprehur tani në këtë periudhë krize të pandemisë, kur përmes një sërë masash jemi duke u përpjekur t’u ndihmojmë atyre që të përshtaten me realitetin e ri, sidomos të mos shkaktohen pasoja në edukimin e tyre dhe të mos ndjejnë vështirësi, së paku të natyrës ekonomike.

Në këtë drejtim, Bashkimi Demokratik për Integrim si pjesë e garniturës aktuale qeverisëse ka marrë pjesë në inicimin, krijimin dhe miratimin e pakos së masave për të rinjtë – me kosto 400 milionë denarë, me të cilën pako do të mbështetet dhe mirëmbahet standardi studentor dhe i nxënësve,  si dhe do të përforcohet fuqia blerëse e të rinjve, kur të hyrat e tyre personale ose mbase të hyrat e familjeve të tyre janë zvogëluar. Një nga tri masat e miratuara është ndarja e kartelave pagesore në vlerë prej 3.000 denarëve për të gjithë të rinjtë e moshës prej 16 deri 29 vjeç – e të cilët kanë statusin e nxënësve të rregullt në shkollat e mesme ose janë studentë. Kjo masë do të përfshijë rreth 100.000 përfitues, të cilët këto mjete financiare do të mund t’i shfrytëzojnë vetëm për blerjen e produkteve vendore.

Për këtë masë tashmë është miratuar Dekreti – në të cilin janë definuar hapat konkretë të implementimit, me qëllim që këto mjete të arrijnë deri shfrytëzuesit e fundit, në këtë rast te nxënësit dhe studentët. Të dhënat për nxënësit do t’i sigurojë Ministria e Arsimit dhe Shkencës  përmes Sistemit ESARU, ndërsa të dhënat për studentët,  që do të kenë të drejtë të marrin këtë kartelë pagesore, do t’i sigurojnë vetë universitetet.

Pra, thënë ndryshe, nxënësit dhe studentet nuk do të kenë nevojë të aplikojnë askund për shfrytëzimin e kësaj mase. Listat e përfituesve të këtyre kartelave pagesore do të përpilohen dhe dorëzohen në Sekretariatin e Përgjithshëm, dhe Sekretariati do t’i publikojë ato në
portalin enkas për këtë qëllim, duke u kujdesur për mbrojtjen e të dhënave personale. Gjithsecili që do të gjejë veten në listë në të njëjtën kohë do të marrë edhe informacion se në cilën bankë do të duhet ta tërheq kartelën e vet pagesore.

Dua të rikujtoj se në kuadër të pakos së masave për të rinjtë, është paraparë edhe ndarja e vauçerit në shumë të njëhershme maksimale prej 6.000 denarë për studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme që u përkasin familjeve me të hyra të ulëta, kurse mjetet do të shfrytëzohen vetëm për pjesën e participimit për studime në universitete dhe për vendosje (akomodim) në konviktet e nxënësve, konviktet studentore, si dhe në kapacitete (banesore) tjera të regjistruara private të vendosjes. Po ashtu, është paraparë edhe ndarja e vauçerëve në shumë maksimale deri  30.000 denarë që u dedikohet të rinjve deri në moshën 29 vjeçare, për bashkëfinancimin e trajnimeve dhe kurseve për IT dhe shkathtësi digjitale, ku vlerësojmë se trajnimet dhe kurset e këtilla rrisin
mundësinë e performancës së shpejtë dhe të suksesshme në tregun e punës. Për këto dy masat (e fundit) do t’ju informojmë në ditët në vijim. Përndryshe, për tri masat që u dedikohen të rinjve, sipas  projeksioneve, do të nevojiten 12 milionë euro – mjete këto që i kemi siguruar, dhe përfituesit e tyre (nxënësit dhe studentet) nuk do të kenë detyrim që t’i kthejnë të njëjtat.

Në Bashkimin Demokratik për Integrim ne jemi krenarë që arritëm shumë shpejt të veprojmë dhe brenda një periudhe jashtëzakonisht të shkurtër miratuam një sërë vendimesh që, siç theksova në fillim të paraqitjes para Juve, kanë rëndësi të madhe, respektivisht janë një mbështetje e madhe për të rinjtë dhe për përshtatjen/adaptimin e tyre më të lehtë në realitetin e ri. Ne edhe më tej mbetemi të hapur për diskutime me qytetarët dhe duam të bëjmë të qartë faktin se secila ide konstruktive do të jetë subjekt i një analize serioze dhe secila ide që është mundshme dhe realisht e arritshme do të përpiqemi ta integrojmë në politikat qeveritare me plane konkrete veprimi për realizim.

Bashkimi Demokratik për Integrim

__________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formë integrale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre.

Провери го и ова

Close
Back to top button
Close
Close