• e mërkurë, 28 gusht 2024

Zelenski: SHBA-së do t’i prezantoj plan për përfundimin e luftës me Rusinë

Zelenski: SHBA-së do t’i prezantoj plan për përfundimin e luftës me Rusinë

Kiev, 27 gusht 2024 (MIA) - Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski deklaroi sot se do t'i paraqesë SHBA-së plan për përfundimin e luftës me Rusinë.

Ai theksoi se plani i paqes do t'u prezantohet kandidatëve për president Kamala Haris dhe Donald Tramp, si dhe presidentit aktual të SHBA-së, Xho Bajden.

"Plani do të përfshijë hapa diplomatikë dhe ekonomikë, të pavarur nga invazioni ukrainas në Kursk që është gjithashtu pjesë e strategjisë për të inkurajuar Moskën për të filluar negociatat paqësore", potencoi Zelenski.

Ai më parë deklaroi se Ukraina me sukses ka testuar raketën e saj të parë balistike vendase, por nuk zbuloi detaje për armën.

Ndërkohë, komandanti kryesor ushtarak i Kievit, gjenerali Oleksandër Sirski deklaroi se vazhdon ofensiva ukrainase në territorin rus të Kurskut.

"Forcat ukrainase kontrollojnë 1.294 kilometra katrorë të territorit rus dhe njëqind vendbanime, ndërsa robëruan 594 ushtarë rusë", potencoi gjenerali Sirski.

Ai theksoi se një nga qëllimet e invazionit ukrainas mbi Kursk ka qenë "tërheqja e një numri të konsiderueshëm trupash të armikut nga zona të tjera" siç është Pokrovski dhe Kurakhova në Donbas dhe se ky qëllim u arrit me sukses. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR