Zelenski pas samitit në Bruksel: Më rëndësi është që Rusia të mos i kthejë fondet e ngrira
- Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski tha sot në Bruksel se ka zhvilluar takime të rëndësishme dhe produktive me liderët e vendeve anëtare të BE-së, por edhe se asetet e ngrira ruse kanë qenë pikë e diskutimit në samitin e Këshillit të Evropës.
- Post By Fami Bajrami
- 15:35, 16 tetor, 2026
Bruksel, 16 tetor 2026 (MIA) - Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski tha sot në Bruksel se ka zhvilluar takime të rëndësishme dhe produktive me liderët e vendeve anëtare të BE-së, por edhe se asetet e ngrira ruse kanë qenë pikë e diskutimit në samitin e Këshillit të Evropës.
Ai në konferencën për shtyp pas samitit tha se gjëja më e rëndësishme është që Rusia të mos ketë mundësi të rikuperojë asetet më vonë, sepse dihet që Moska dëshiron t'i marrë këto asete.
"Ky është një nga qëllimet e Rusisë dhe për këtë arsye Ukraina do të donte të merrte asete të caktuara në një format të caktuar përpara se Rusia të arrijë ta bëjë këtë", ka thënë Zelenski.
Kur gazetarët e pyetën për zëvendësimin e Starlinkut, ai tha se është e rëndësishme të bashkëpunohet si me BE-në ashtu edhe me SHBA-në.
“Ne marrim raketa PAC-2 dhe PAC-3 nga SHBA përmes programit "Pearl" dhe e gjithë kjo financohet nga Evropa, kështu që nuk është një dhuratë, nuk është falas. Shumica e raketave PAC-2 dhe PAC-3 tani po dërgohen në Lindjen e Mesme, kështu që është sekret i hapur që ne nuk jemi një destinacion prioritar për këto raketa për momentin, por ne jemi ende shumë mirënjohës për të gjitha raketat që mund të marrim përmes këtij programi. Kjo është arsyeja pse ne jemi mirënjohës ndaj NATO-s, ndaj evropianëve që financojnë të gjitha këto dhe jemi mirënjohës ndaj administratës së Shtëpisë së Bardhë. Ne jemi mirënjohës ndaj SHBA-së", ka thënë Zelenski.
Sipas tij, raketat po blihen jo vetëm nga SHBA-ja, por edhe nga BE dhe vende të tjera anembanë botës.
Ai shtoi se ata po punojnë për një alternativë ndaj Starlinkut, por jo një zëvendësim të plotë dhe se Ukraina po bashkëpunon me Francën për të siguruar kapacitet shtesë.
Foto: EPA