Zelenski i gatshëm të takohet me Putinin në samitin e G20 në Majami
- Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi se është i gatshëm të takohet me presidentin rus Vladimir Putin gjatë samitit të G20 në Majami, duke theksuar se duhet të bisedohet dhe të merren vendime për t'i dhënë fund konfliktit.
Kiev, 12 shtator 2026 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi se është i gatshëm të takohet me presidentin rus Vladimir Putin gjatë samitit të G20 në Majami, duke theksuar se duhet të bisedohet dhe të merren vendime për t'i dhënë fund konfliktit.
Në një intervistë me median gjermane "Dojçe vele", të publikuar sot në mes të përpjekjeve të intensifikuara diplomatike për t'i dhënë fund luftës, Zelenski, kur u pyet nëse do të takohet me Putinin në margjinat e samitit në dhjetor nëse të dy udhëheqësit do të ftohen, u përgjigj: "Po, sigurisht. Duhet të shkojmë. Duhet të takohemi, të flasim dhe të marrim vendime".
Uashingtoni kohët e fundit është përpjekur të ripërtërijë përpjekjet diplomatike të bllokuara prej kohësh për t'i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës. Gjatë fundjavës, të dërguarit amerikanë Stiv Vitkof dhe Xhared Kushner vizituan Moskën dhe Kievin.
Në një intervistë të dhënë të premten, Zelenski deklaroi se vizita e të dërguarve amerikanë ishte një "sinjal i mirë" dhe se ishte e rëndësishme që të dy vizituan si Kievin ashtu edhe Moskën.
"Është një shenjë respekti për popullin tonë", theksoi presidenti ukrainas.
Presidenti rus Vladimir Putini dhe homologu i tij amerikan Donald Tramp, gjithashtu, javën e kaluar biseduan për luftën në një telefonatë që Kremlini e quajti "jashtëzakonisht të hapur".
ShtBA këtë kryesojnë me G20. Në fillim të shtatorit, ministri rus i Financave Anton Siluanov mori pjesë në një takim të ministrave të financave të G20 në Karolinën e Veriut, ndërsa Ministria ruse e Punëve të Jashtme njoftoi sot se Moska do të dërgojë gjithashtu përfaqësues në takimin kushtuar energjisë, i cili do të mbahet javën e ardhshme në Hjuston të Teksasit.
Foto: Arkivi