• e martë, 18 gusht 2026

Ylli Limani impresionohet nga ndërtimi i Kampusit të UNT-së në Shkup

Ylli Limani impresionohet nga ndërtimi i Kampusit të UNT-së në Shkup

18 korrik 2026

“Mendoj se është një nga senet ma të mira që i kanë ndodh kombit shqiptar, do doja të jem në përurimin e tij"- Ylli Limani impresionohet nga ndërtimi i Kampusit të UNT-së në Shkup, theksohet në komunikatën e Komunës së Çairit, të cilën MIA e transmeton në formë integrale.

"Dua të jem prezent në ceremoninë e përurimit të Universitetit Nënë Tereza", i tha dje artisti nga Kosova, Ylli Limani, kryetarit të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti gjatë vizitës së përbashkët në vendin ku po zhvillohen punimet për kampusin e ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.

Gjatë vizitës, Limani u njoh nga afër me dinamikën e punimeve dhe me projektin e kampusit të ri universitar i cili po ndërtohet si një nga investimet më të rëndësishme për arsimin e lartë në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut.

Artisti kosovar vlerësoi lart realizimin e këtij projekti, duke theksuar se Universiteti “Nënë Tereza” ka një rëndësi të veçantë për shqiptarët dhe për brezat e rinj që do të ndërtojnë të ardhmen e tyre përmes dijes.

“Ky është një projekt me rëndësi të madhe për shqiptarët dhe një nga gjërat më të mira që i ka ndodhë kombit shqiptar”, u shpreh Ylli Limani gjatë vizitës.

Nga ana tjetër, Izet Mexhiti theksoi se ndërtimi i kampusit të Universitetit “Nënë Tereza” po ecë sipas planit dhe se ky investim do të krijojë kushte moderne për studentët dhe stafin akademik, duke e shndërruar universitetin në një qendër bashkëkohore të arsimit të lartë.

Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore, vetëm pak orë para koncertit të Ylli Limanit në Shkup, ku artisti performoi para mijëra adhuruesve.

QËNDRONI TË LIDHUR