Vens: Konflikti me Iranin nuk është "luftë", komunikacioni përmes Ngushticës së Hormuzit pothuajse është normalizuar
- Konflikti në Iran nuk është një "luftë", deklaroi zëvendëspresidenti amerikan Xhej Di Vens, i cili gjithashtu vlerësoi se lundrimi nëpër Ngushticën e Hormuzit është "pothuajse" normalizuar.
- Post By Ramize Qamili
- 08:33, 4 shtator, 2026
Uashington, 4 shtator 2026 (MIA) - Konflikti në Iran nuk është një "luftë", deklaroi zëvendëspresidenti amerikan Xhej Di Vens, i cili gjithashtu vlerësoi se lundrimi nëpër Ngushticën e Hormuzit është "pothuajse" normalizuar.
Gazeta "Vollstrit xhurnall" vlerëson se në një kohë kur presidenti, Donald Tramp, po shqyrton mundësinë e deklarimit të thjeshtë dhe të qartë të përfundimit të konfliktit, Zëvendëspresidenti Vens po përpiqet të minimizojë luftimet.
"Unë nuk do ta quaja këtë luftë. Momentalisht nuk ka shkëmbim zjarri", deklaroi ai para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, edhe pse SHBA-ja ka sulmuar dy herë objektiva në Iran ditët e fundit.
Në një nga këto sulme, për të cilat Irani u zotua të hakmerrej, katër persona në një dasmë u vranë.
"Mediat shtetërore iraniane nuk ka raportuar në mënyrë veçanërisht të besueshme për atë që ka ndodhur në këtë konflikt deri më tani, kështu që jam jashtëzakonisht skeptik për këtë", tha Vens në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me sulmin, duke shtuar se SHBA-ja po kryen ende një "hetim të plotë".
Qeveria amerikane ka theksuar ditët e fundit atë që e quan, sipas tij, një rinovim të trafikut përmes Ngushticës strategjike të Hormuzit, ndërsa Xhej di Vens e ka përsëritur të njëjtën gjë.

"Nëse kthehemi tre muaj prapa, kur bëhet fjalë për naftën dhe gazin që del nga Ngushtica e Hormuzit për shkak të kërcënimeve iraniane, nuk kishte pothuajse asgjë. Tani jemi pothuajse aty ku ishim para konfliktit", deklaroi nënpresidenti amerikan.
Presidenti Tramp pretendon se SHBA-ja ka kontroll të madh mbi Ngushticën.
"Po lejojmë kalimin e 30 deri në 40 anijeve gjatë natën", siguroi Donald Tramp në një intervistë të transmetuar mbrëmë në televizionin konservator britanik "Xhu-Bi njuz".
Nënshkrimi i një marrëveshjeje midis Uashingtonit dhe Teheranit në mesin e qershorit për bisedime paqeje lejoi një rritje të përkohshme të trafikut në 36 anije në ditë, përpara se të reduktohej përsëri në 15, mes përleshjeve të rinovuara më 8 korrik dhe 22 gusht.
Lufta ka reduktuar mbështetjen për presidentin Donald Tramp dhe ka rritur çmimet e derivateve, duke rritur rreziqet për kandidatët republikanë që luftojnë për të ruajtur shumicën në të dyja dhomat e Kongresit në zgjedhjet që do të mbahen në nëntor. rq/
Foto: arkivi i MIA-s