Vendim historik në Bejrut: Parlamenti libanez e zëvendësoi dënimin me vdekje me burg të përjetshëm
- Parlamenti libanez sot miratoi vendim historik për të hequr plotësisht dënimin me vdekje, duke e bërë Libanin vendin e parë arab që e vendos këtë ndryshim radikal ligjor. Dënimi me vdekje në të ardhmen do të zëvendësohet me burgim të përjetshëm, të ndjekur me kryerjen e punës obligative jashtëzakonisht të rëndë.
- Post By Besnik Shuki
- 15:34, 11 gusht, 2026
Bejrut, 11 gusht 2026 (MIA) - Parlamenti libanez sot miratoi vendim historik për të hequr plotësisht dënimin me vdekje, duke e bërë Libanin vendin e parë arab që e vendos këtë ndryshim radikal ligjor. Dënimi me vdekje në të ardhmen do të zëvendësohet me burgim të përjetshëm, të ndjekur me kryerjen e punës obligative jashtëzakonisht të rëndë.
"Ky është një hap historik për vendin tonë", tha ministri i Drejtësisë, Adel Nasar gjatë seancës parlamentare.
Për heqjen ka votuar shumica prej 128 deputetëve libanezë, ndërsa rezistenca e vetme erdhi nga grupi parlamentar i lëvizjes shiite Hezbollah, e cila votoi kundër. Deri tani, nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar as nga Hezbollahu e as nga institucionet fetare me ndikim në vend, të cilat tradicionalisht mbështesin dënimin me vdekje, si instrument legjitim ligjor.
Reagime kanë ardhur edhe nga organizatat joqeveritare ndërkombëtare, që kanë bërë thirrje prej vitesh për formalizimin e moratoriumit aktual ose për të hequr përfundimisht dënimin më të ashpër.
“Libani më në fund i ka dhënë fund një dënimi mizor që nuk duhej të ishte shqiptuar kurrë. Dënimi me vdekje është unik në mizorinë dhe pakthyeshmërinë e tij, e me këtë rast shënohet nga arbitrariteti, paragjykimet dhe gabimet në drejtësi”, tha Ramzi Kais, përgjegjës për Libanin në organizatën "Hjuman rajts uoç".
Ky vend i vogël mesdhetar vendosi moratorium jozyrtar mbi ekzekutimet në janar 2004, por që atëherë janë shqiptuar dhjetëra dënime me vdekje, të cilat më vonë janë pezulluar ose janë ndryshuar me burgim. bsh/
Foto: EPA