Vadeful: Ndryshimet klimatike në mënyrë shtesë përkeqësojnë pasojat e luftërave dhe krizave
- Ndryshimet klimatike mund të riformësojë sigurinë globale, të nxisë urinë, ekstremizmin dhe terrorizmin në shtetet e paqëndrueshme dhe të shkaktojë valë të reja migrimi, paralajmëroi sot Ministri i Punëve të Jashtme gjermane Johan Vadeful në fillim të Konferencës për Klimën dhe Sigurinë në Berlin.
- Post By Ramize Qamili
- 15:23, 6 tetor, 2026
Berlin, 6 tetor 2026 (MIA) - Ndryshimet klimatike mund të riformësojë sigurinë globale, të nxisë urinë, ekstremizmin dhe terrorizmin në shtetet e paqëndrueshme dhe të shkaktojë valë të reja migrimi, paralajmëroi sot Ministri i Punëve të Jashtme gjermane Johan Vadeful në fillim të Konferencës për Klimën dhe Sigurinë në Berlin.
"Ndryshimi i klimës thellon varfërinë dhe urinë, veçanërisht në vendet e paqëndrueshme, dhe kështu mund të bëhet terren pjellor për ekstremizëm dhe terrorizëm ose të çojë në valë migrimi”, tha shefi i diplomacisë së jashtme gjermane.
Ministri gjerman ka paralajmëruar se fenomeni rekord El Ninjo, i cili është ende duke vazhduar, kërcënon të shkatërrojë jetesën e qindra mijëra njerëzve.
Në Sudan, mungesa e shiut po e përkeqëson më tej thatësirën, tha ai. Ndërkohë, nivelet e ulëta të ujit në Kanalin e Panamasë po zvogëlojnë numrin e tranziteve të anijeve, duke ushtruar presion shtesë mbi zinxhirët globalë të furnizimit.
"Investimet në trajtimin e ndryshimeve klimatike janë njëkohësisht investime në siguri", theksoi Vadeful.
Në konferencë marrin pjesë rreth 250 përfaqësues ndërkombëtarë në fushën e klimës, paqes dhe sigurisë, përfshirë përfaqësues të vendeve veçanërisht të prekura, Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, si dhe shkencëtarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Vadeful theksoi se pasojat e ndryshimeve klimatike nuk duhen konsideruar të izoluara.
“Kudo që mbizotërojnë luftërat dhe krizat, ndryshimi i klimës e përkeqëson më tej situatën”, tha ministri, duke shtuar se aktorët keqdashës mund të përpiqen të përdorin pasojat e ndryshimit të klimës “si armë”.
Ai theksoi rritjen e çmimeve globale të drithërave, duke deklaruar se Rusia po sulmon anijet me drithëra në Detin e Zi dhe po u ndërpret furnizimet njerëzve në mbarë botën që janë veçanërisht të varur nga importet.
Nëse Rusia sulmon përsëri qëllimisht infrastrukturën energjetike të Ukrainës në fund të vitit, burimet e decentralizuara të energjisë së rinovueshme mund të bëhen një litar shpëtimi, tha Vadeful. Burime të tilla do të ishin më të vështira për t'u shkatërruar dhe nuk do të vareshin nga importet e lëndëve djegëse fosile.
Foto: arkivi i MIA-s