Uji nga sistemi i ujësjellësit në Gostivar është i sigurt për pije, njoftoi Shtabi kryesor i krizës
- Prej sot uji në ujësjellësin e qytetit në Gostivar është i sigurt për pije, njoftoi në konferencë për media drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, shef i Shtabit kryesor për menaxhim me kriza.
- Post By Fitore Curri
- 15:47, 14 gusht, 2026
Gostivar, 14 gusht 2026 (MIA) - Prej sot uji në ujësjellësin e qytetit në Gostivar është i sigurt për pije, njoftoi në konferencë për media drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, shef i Shtabit kryesor për menaxhim me kriza.
Drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Oliver Millanov deklaroi se rekomandimi për lejim të pirjes së ujit vjen pas rezultateve të kënaqshme nga testimet laboratorike nga ana e Institutit të Shëndetit Publike dhe laboratorit të NP Ujësjellësi dhe kanalizimi Shkup në mostrat e ujit për pije të mara nga shtatë vende matëse të hënën në mëngjes dhe mbrëmje, si dhe të martën në mëngjes.
"Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë i njofton banorët e Gostivarit se që nga sot (14 gusht 2026) uji mund të përdoret për pije. Uji ishte mikrobiologjikisht në rregull javën e kaluar, por testet e kryera përcaktuan prani të shtuar të klorit rezidual mbi kufijtë e përcaktuar në rregulloren për kërkesat për cilësinë e ujit të pijshëm prej 0,2 deri në 0,5 miligramë për litër", tha Millanov.

Sqaroi se prania e rritur e klorit ishte rezultat i dezinfektimit të rritur të ujit për pije dhe për këtë ishin të nevojshme masa shtesë dhe të pritet për rekomandimin për pirje të ujit. Gjithashtu në testimin e ujit ishin përfshirë ndërmarrja komunale në Gostivar dhe Qendra e Shëndetit Publik në Tetovë bashkë me ISHP dhe AUV.
"Rezultatet e fundit të testeve laboratorike konfirmojnë se uji është mikrobiologjikisht dhe fizikisht - kimikisht në rregull, domethënë se parametrat e testuar, përfshirë praninë e klorit rezidual, janë brenda kufijve të përcaktuar me Rregulloren për cilësinë e ujit të pijshëm. Kjo përmbush kushtet që uji nga sistemi i furnizimit me ujë në Gostivar të ripërdoret për pije", deklaroi Millanov.

Me qëllim stabilizimin dhe ruajtjen e cilësisë dhe sigurisë së ujit, rekomandohet që Ndërmarrja Publike e Shërbimeve Komunale Gostivar të rrisë prodhimin e ujit të papërpunuar në përputhje me kapacitetet dhe mundësitë teknike në dispozicion. Qytetarëve u këshillohet ta lënë rubinetin të hapur për disa sekonda, veçanërisht nëse uji nuk është përdorur për një kohë të gjatë. Qytetarëve u këshillohet ta përdorin ujin në mënyrë racionale, veçanërisht gjatë periudhave të konsumit të shtuar.
Që të dëshmojnë se uji në Gostivar është i pijshëm, Angellovi, drejtori i QMK Muhamed Ali, Millanovi dhe anëtarë të tjerë të Shtabit kryesor pinë ujë nga sistemi i ujësjellësit në Gostivar.
Paraprakisht për informacionet më të reja në lidhje me ujin për pije nga ujësjellësi i Gostivarit mbledhje mbajti Shtabi kryesor për menaxhim me kriza. fc/
Foto: MIA