UEFA do ta padisë Infantinon
- UEFA do të ngrejë padi kundër presidentit të FIFA-s, Xhani Infantino, për "keqmenaxhim", lidhur me planin e tij të dështuar për të shitur një pjesë të të drejtave komerciale të turneve të Kupës së Botës te investitorët privatë.
- Post By Qefsere Abduli
- 11:19, 28 gusht, 2026
Nion, 28 gusht 2026 (MIA) - UEFA do të ngrejë padi kundër presidentit të FIFA-s, Xhani Infantino, për "keqmenaxhim", lidhur me planin e tij të dështuar për të shitur një pjesë të të drejtave komerciale të turneve të Kupës së Botës te investitorët privatë.
Organi drejtues i futbollit evropian vlerëson se Infantino "i ka shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë dhe konkret reputacionit të FIFA-s" me projektin e tij të pasuksesshëm.
Në një dokument prej 60 faqesh, të cilin e ka siguruar agjencia AFP dhe që është raportuar nga disa media botërore, UEFA thekson se synon ta padisë Infantinon për "keqmenaxhim", vepër penale që dënohet deri në pesë vjet burgim.
UEFA e bazon çështjen e saj në planin e Infantinos për të transferuar të ardhurat nga Kupa e Botës në një kompani të hapur ndaj investitorëve privatë, të cilën FIFA e zbuloi në fund të korrikut si një mënyrë për të "zhbllokuar potencialin komercial" të garës së saj kryesore.
UEFA e sheh këtë plan si "në fakt një përpjekje të hartuar për t’i mundësuar Infantinos" dhe "një rrethi të vogël bashkëpunëtorësh të afërt" - përfshirë edhe Xhoshua Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Tramp - "të fitojnë një pjesë të përhershme dhe të përfitojnë nga asetet më të vlefshme të FIFA-s, në dëm të FIFA-s, anëtarëve të saj dhe palëve të tjera të interesuara në familjen e futbollit".
Në kërkesën e saj, organi evropian mbështetet veçanërisht në kritikat e Karlos Kordeiro, bankier investimesh i cili u bë këshilltar i Xhani Infantinos, dhe i cili dha dorëheqje pasi e përshkroi marrëveshjen si "një marrëveshje të keqe për futbollin". qa/
Foto: EPA