• e enjte, 10 korrik 2025

Ueb-faqja e Bashkisë së Tiranës në shënjestër të hakerave iranianë

Ueb-faqja e Bashkisë së Tiranës në shënjestër të hakerave iranianë

Tiranë, 20 qershor 2025 (MIA) - Hakerët iranianë kanë marrë përgjegjësinë për sulmin kibernetik ndaj ueb-faqes zyrtare të Bashkisë së Tiranës.

Në një postim në Telegram, "Homeland Justice" thekson se ka kryer një sulm kibernetik ndaj ueb-faqes dhe se ajo aktualisht është e padisponueshme. Në mesazhin e ndarë, grupi "Homeland Justice" shkruan se “Të gjitha këto aktivitete u kryen nga Bashkia e Tiranës, sot ata po ndëshkohen për veprimet e tyre. Ne rrëzuam faqen e tyre të internetit, morëm të dhënat dhe fshimë serverat, publikuan mediat shqiptare.

Në publikimin janë vendosur foto të ueb-faqes zyrtare të Bashkisë së Tiranës para dhe pas sulmit kibernetik, ndërsa  në një mesazh tjetër ata thanë se e paralajmëruan Shqipërinë të "dëbonte terroristët e MEK-ut".

"Bashkia e Tiranës tani është jashtë funksionit. Shërbimet e qytetit janë pezulluar. Ne ju paralajmëruam të dëboni terroristët e MEK-ut nga toka shqiptare. Por ju i njohët ata si refugjatë të ligjshëm dhe i dhatë lehtësi si letërnjoftime dhe pasaporta të rreme. Situata aktuale u shkaktua nga liderët e qeverisë shqiptare. Lamtumirë shërbimeve të qytetit dhe trafikut. Marrëveshja jonë me ju do të vazhdojë, shkruajnë ata në Telegram.

Kjo nuk është hera e parë që institucionet shqiptare janë shënjestruar nga sulmet kibernetike. Në vitin 2022, shërbimet qeveritare onlajn në Shqipëri u sulmuan nga katër grupe të sofistikuara hakerash të mbështetura nga shteti iranian. Menjëherë pas kësaj, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe dëboi përfaqësuesit diplomatikë. 

Shqipëria ka pranuar rreth 4.000 muxhahedinë të cilët janë të vendosur në një kamp në afërsi të Durrësit. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR