• e enjte, 17 shtator 2026

Turqia, Pakistani dhe Arabia Saudite formojnë mekanizma ushtarako-politike në kuadër të paktit të ri të mbrojtjes

Turqia, Pakistani dhe Arabia Saudite formojnë mekanizma ushtarako-politike në kuadër të paktit të ri të mbrojtjes

Ankara, 13 gusht 2026 (MIA) - Turqia, Arabia Saudite dhe Pakistani do të krijojnë mekanizma të veçanta politike dhe ushtarake në kuadër të një marrëveshjeje të mbrojtjes së ndërsjellë që të tre vendet nënshkruan javën e kaluar, kumtoi Ministria e Mbrojtjes turke.

Nga Ministria kumtuan se mekanizmat e sapoformuar do të përfshijnë ministrat e mbrojtjes, ministrat e jashtëm dhe udhëheqjet ushtarake të tre vendeve. Marrëveshja gjithashtu parashikon kryerjen e ushtrimeve të përbashkëta ushtarake, si dhe thellimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes përmes prodhimit të përbashkët dhe shkëmbimit të teknologjisë.

Informacioni sot në një brifing të rregullt javor e kumtoi zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes turke, kontraadmirali Zeki Akturk, transmetoi televizioni turk "TRT Haber".

Tre vendet myslimane sunite, të cilat janë aleatë kryesorë të SHBA-së, më 7 gusht në Mekë nënshkruan një marrëveshje të ndërsjellë mbrojtjeje, mes shqetësimeve në rritje rreth përshkallëzimit të konfliktit rajonal dhe sulmeve raketore iraniane ndaj eksportuesve të naftës në Gjirin Persik.

Sipas detajeve të paktit, një sulm i armatosur ndaj ndonjërit prej shteteve anëtare do të konsiderohet si sulm ndaj të gjithave, i cili bazohet në një parim të ngjashëm me klauzolën e mbrojtjes kolektive në Nenin 5 të Traktatit të Altlantikut të Veriut (NATO).

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR