Trampi shprehu optimizëm në lidhje me mosmarrëveshjen tregtare me Kanadanë: "Ndoshta do të shihni një marrëveshje shumë shpejt"
- Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, shprehu optimizëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjes tregtare me Kanadanë dhe minimizoi mundësinë e tërheqjes së Uashingtonit nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë midis SHBA-së, Meksikës dhe Kanadasë (USMCA).
- Post By Sara Ademi
- 11:50, 13 shtator, 2026
Dublin, 13 shtator 2026 (MIA) - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, shprehu optimizëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjes tregtare me Kanadanë dhe minimizoi mundësinë e tërheqjes së Uashingtonit nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë midis SHBA-së, Meksikës dhe Kanadasë (USMCA).
Gjatë një takimi me kryeministrin irlandez Mihol Martin në Dublin dje, Trampi u pyet nëse kishte ndërmend të tërhiqte SHBA-në nga marrëveshja trepalëshe tregtare.
"Gjithçka po shkon shkëlqyeshëm. Do të kemi një marrëdhënie të shkëlqyer me Meksikën. Në fakt, kemi një marrëdhënie të shkëlqyer me Kanadanë", tha Trampi.
Ai shtoi se një marrëveshje me Otavën mund të arrihet "shumë shpejt", por nuk specifikoi nëse bisedimet zyrtare tregtare kishin rifilluar tashmë. Presidenti amerikan përsëriti se Kanadaja duhet të përmirësojë trajtimin e fermerëve amerikanë dhe të eliminojë tarifat për produktet e tyre, të cilat ai tha se ishin deri në 400 përqind.
"Ndoshta shumë shpejt do të shihni një marrëveshje me Kanadanë", tha Trampi.
Konflikti tregtar midis dy vendeve fqinje është zgjeruar përtej tarifave dhe ka kërcënuar zinxhirët e furnizimit ndërkufitar nga të cilët varen industritë kryesore, kryesisht sektori i automobilave, vëren Blumberg.
Negociatat për një marrëveshje më të gjerë tregtare dështuan në minutën e fundit në gusht, pas së cilës Trampi vendosi tarifa prej 50 përqind për mallra kanadeze me vlerë miliarda dollarë.
Më 8 shtator, kryeministri kanadez Mark Karni u përgjigj duke vendosur tarifa për një gamë të gjerë mallrash amerikane të konsumit dhe duke rritur tarifat për produktet e çelikut amerikan nga 25% në 50%. Trampi, nga ana e tij, njoftoi masa shtesë, duke përfshirë ndalime për disa produkte kanadeze.
Megjithatë, Karni më vonë sinjalizoi se një raund i ri kundërmasash ishte i pamundur, duke vlerësuar se kufizimet e fundit të SHBA-së do të kishin një ndikim "modest". Të enjten, ai konfirmoi se kishte diskutuar çështje gjeopolitike me Trampin, pa specifikuar nëse u diskutuan edhe marrëdhëniet tregtare.
Deklaratat e dy udhëheqësve ngjallin shpresa për uljen e tensioneve dhe gjetjen e një rrugëdaljeje nga mosmarrëveshja ekonomike që është shndërruar në një konfrontim më të gjerë politik, raporton Blumberg.
Trampi ka deklaruar vazhdimisht në të kaluarën se Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së dhe e ka quajtur kryeministrin kanadez "guvernator". Këto komente kanë provokuar reagime negative në mesin e publikut kanadez dhe i kanë lejuar Karnit të forcojë pozicionin e tij si mbrojtës i sovranitetit kombëtar.
Marrëdhëniet në përkeqësim kanë ngritur shqetësime se Trampi mund të kërcënojë të tërhiqet nga USMCA, një veprim që do të ndryshonte rrënjësisht rregullat e tregtisë në Amerikën e Veriut. Çdo një nga tre vendet ka të drejtë të tërhiqet nga marrëveshja me një njoftim me shkrim gjashtë muaj më parë, megjithëse, sipas Blumberg, formulimi ligjor lë disa paqartësi në lidhje me procedurën e saktë.
Mosmarrëveshja me Kanadanë po fiton peshë shtesë për Trampin përpara zgjedhjeve të Kongresit në nëntor, në të cilat Partia Republikane do të përpiqet të ruajë kontrollin e Kongresit. Sipas analizës së agjencisë, mbështetja për presidentin po përballet me sfida për shkak të presioneve ekonomike dhe krizës ushtarake me Iranin.
Vendosja e ndërsjellë e tarifave paraqet rrezik për rritje të mëtejshme të çmimeve të mallrave, që është ndër shqetësimet kryesore për votuesit. Ato mund të dëmtojnë republikanët në shtetet kryesore kufitare si Miçigeni, ku pritet një garë e ngushtë për një vend në Senat. sa/
foto: arkivi