Trampi premton 5,000 dollarë për çdo amerikan të rritur nëse republikanët fitojnë zgjedhjet e mesit të mandatit
- Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, i premtoi secilit qytetar amerikan të rritur pagesë prej 5.000 dollarësh nëse republikanët e mbajnë kontrollin në dy dhomat e Kongresit gjatë zgjedhjeve në nëntor.
- Post By Sara Ademi
- 08:18, 10 shtator, 2026
Dalas, 10 shtator 2026 (MIA) - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, i premtoi secilit qytetar amerikan të rritur pagesë prej 5.000 dollarësh nëse republikanët e mbajnë kontrollin në dy dhomat e Kongresit gjatë zgjedhjeve në nëntor.
"Do të thotë, nëse Republikanët fitojnë, ju fitoni me ne dhe fitoni 5.000 dollarë", tha Trampi në konventën e Partisë Republikane në Dallas. Ai shtoi se pagesa do të quhet "dividenti i Trampit".
Trampi tha se pagesa do të bëhej nëse republikanët do të ruanin shumicën në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve. Me më shumë se 245 milionë të rritur në SHBA, propozimi do të kushtonte afërsisht 1 trilion dollarë, pothuajse aq sa i gjithë buxheti i mbrojtjes i vendit.
Prandaj, një masë për pagesa të tilla duket e pamundur të jetë politikisht ose financiarisht e qëndrueshme në Kongres.
Ideja e pagesave të drejtpërdrejta për qytetarët amerikanë nuk është e re. Trampi propozoi një pagesë prej 2,000 dollarësh vitin e kaluar, por nuk eci përpara me planin. Paratë do t'u jepeshin njerëzve nga një pjesë e të ardhurave doganore të SHBA-së, duke përjashtuar personat me të ardhura më të larta.
Më 3 nëntor, votuesit amerikanë do të zgjedhin afërsisht një të tretën e Senatit dhe të gjithë Dhomës së Përfaqësuesve. Partia e presidentit zakonisht humb vende në zgjedhje të tilla. Me republikanët që mbajnë vetëm një shumicë të ngushtë, veçanërisht në Dhomën e Përfaqësuesve, një humbje e republikanëve atje konsiderohet e mundshme.
Trampi e justifikoi premtimin e tij prej 5,000 dollarësh duke përmendur atë që e përshkroi si suksesin e jashtëzakonshëm të ekonomisë amerikane. Ai e krahasoi pagesën me një skemë ndarjeje fitimesh në një kompani dhe tha se paratë do të duhej të shpenzoheshin në SHBA. sa/
Foto: EPA