• e premte, 30 gusht 2024

Takimi i parë mes Salivan dhe gjeneral Xhang në Pekin për marrëdhëniet ushtarake mes SHBA-së dhe Kinës

Takimi i parë mes Salivan dhe gjeneral Xhang në Pekin për marrëdhëniet ushtarake mes SHBA-së dhe Kinës

Pekin, 29 gusht 2024 (MIA) - Këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Xhejk Salivan sot ka zhvilluar bisedime të gjera me nënkryetarin e Komisionit qendror ushtarak të Kinës, gjeneralin Zhang Juksi, në fund të vizitës treditore në Pekin, me qëllim të uljes së tensioneve mes dy superfuqive.

Në takimin, i pari midis Zhang dhe Salivan, dhe i pari midis një zyrtari të lartë amerikan dhe nënkryetarit të Komisionit qendror ushtarak të Kinës që nga viti 2018, Salivan bëri thirrje për përmirësimin e komunikimit midis dy palëve.

"Kërkesa juaj për të mbajtur këtë takim me mua tregon rëndësinë që qeveria amerikane i kushton sigurisë ushtarake dhe marrëdhënieve tona ushtarake", tha Zhang në një takim në selinë e Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës.

Salivn e përshkroi takimin si një ngjarje "të rrallë" dhe theksoi se të dy vendet kanë përgjegjësinë për të parandaluar që rivaliteti të përshkallëzohet në konflikt ose konfrontim.

“Duke pasur parasysh gjendjen e botës dhe nevojën për menaxhim të përgjegjshëm të marrëdhënieve SHBA-Kinë, mendoj se është një takim shumë i rëndësishëm”, theksoi Salivan.

Të dy u përqendruan në progresin e komunikimeve ushtarake dhe marrëveshjet që komandantët e nivelit operacional do të vendosin së shpejti komunikime telefonike, për të cilat SHBA-ja po angazhohet.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Salivan gjithashtu e ka theksuar nevojën për stabilitet në ngushticën e Tajvanit dhe lundrimin e lirë në Detin e diskutueshëm të Kinës Jugore.

SHBA-ja ka shprehur gjithashtu shqetësimin për mbështetjen e Kinës për industrinë e mbrojtjes ruse, thuhet në komunikatë.

Salivan foli me diplomatin kinez Vang Ji të mërkurën për mbajtjen e bisedimeve të reja midis krerëve të shteteve të tyre në të ardhmen e afërt, raportuan mediat shtetërore kineze.

Shtëpia e Bardhë theksoi se "të dyja palët patën një diskutim të sinqertë, thelbësor dhe konstruktiv mbi një sërë çështjesh dypalëshe, rajonale dhe globale".

Vizita e Salivanit në Pekin, e cila përfundon sot, vjen në një kohë kur në SHBA kandidatja demokrate për presidente Kamala Harris dhe kandidati republikan Donald Tramp kanë mbajtur qëndrime të ashpra ndaj Kinës, veçanërisht lidhur me doganat.  mb/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR