Të paktën 47 viktima në përmbytje dhe rrëshqitje të dheut në Meksikë
- Të paktën 47 persona e kanë humbur jetën, ndërsa 38 llogariten të zhdukur në përmbytjet dhe shembjet e dheut, të shkaktuara nga të reshurat e mëdha në disa pjesë të Meksikës, kumtuan autoritetet.
- Post By Besnik Shuki
- 08:28, 13 tetor, 2025
Meksiko Siti, 13 tetor 2025 (MIA) - Të paktën 47 persona e kanë humbur jetën, ndërsa 38 llogariten të zhdukur në përmbytjet dhe shembjet e dheut, të shkaktuara nga të reshurat e mëdha në disa pjesë të Meksikës, kumtuan autoritetet.
Rreth 260 vendbanime, kryesisht në pjesët malore, janë tërësisht të izoluara nga bota e jashtme, ndërsa dhjetëra mijë shtëpi janë të mbushura me baltë dhe mbeturina.
Presidentja meksikane, Klaudia Sheinbaum është pritur me protesta gjatë vizitës në qytetin e përmbytur Poza Rika në shtetin lindor federal Verakruz. Qytetarët kërkojnë ndihmë më të shpejtë nga autoritetet.
"E dimë se ka dëshpërim dhe brengosje. Do të kujdesemi për të gjithë", tha ajo në video fjalim.
Shumë rrugë dhe ura u dëmtuan, ndërsa shumë qytete mbetën pa energji elektrike për shkak të shtyllave të rrëzuara të energjisë. Meteorologët paralajmërojnë se të reshurat do të vazhdojnë, duke rritur rrezikun e rrëshqitjeve të reja të dheut.
Më të prekura janë shtetet lindore dhe qendrore Verakruz, Hidalgo, Puebla, Kueretaro dhe San Luis Potosi. Më së shumti viktima ka në Verakruz dhe Hidalgo. bsh/
Foto: EPA