Të paktën 12 të vdekur dhe qindra të plagosur në sulmin në aeroportin e Riadit, i dënuar nga SHBA dhe KB
- Të paktën 12 persona u vranë në një sulm në aeroportin kryesor në kryeqytetin saudit, Riad, njoftoi Autoriteti i aviacionit civil saudit.
- Post By Sara Ademi
- 10:10, 11 tetor, 2026
Riad, 11 tetor 2026 (MIA) - Të paktën 12 persona u vranë në një sulm në aeroportin kryesor në kryeqytetin saudit, Riad, njoftoi Autoriteti i aviacionit civil saudit.
Në sulmin e mbrëmshëm ndaj Aeroportit ndërkombëtar "Mbreti Halid", u lënduan edhe 309 persona, të cilët trajtohen në disa spitale, njoftoi administrata në një deklaratë në X herët në mëngjes. Disa nga të lënduarit janë në gjendje kritike, shtohet në kumtesë.
Mes të vdekurve janë katër shtetas saudit, dy shtetas të Bangladeshit, një palestinez, një shtetas amerikan, një egjiptian, një jordanez, një sirian dhe një sudanez, njoftoi administrata.
Sulmi shkaktoi dëme materiale, shkalla e të cilave po vlerësohet. Operacionet e aeroportit u pezulluan ndërsa autoritetet vlerësuan dëmet dhe kryen kontrolle sigurie.
Gjeneral majori Turki al-Maliki, zëdhënësi zyrtar i koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, tha se sulmi ishte një akt terrorist dhe do të "përgjigjej me vendosmëri".
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marko Rubio, tha se SHBA-ja dënon fuqimisht sulmet e fundit nga milicia e Huthëve.
"Këto sulme të dënueshme tregojnë një shpërfillje flagrante për jetën e civilëve të pafajshëm. Ato duhet të ndalen menjëherë", shkroi ai në X.
"Ne qëndrojmë me Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe popullin e saj dhe shprehim ngushëllimet tona për viktimat dhe familjet e tyre", shtoi Rubio.
Sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh, tha se ishte thellësisht i tronditur nga sulmi.
"Sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile janë shkelje e së drejtës ndërkombëtare. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë", shkroi ai X.
Ky ishte i fundit në një seri sulmesh që synonin objektet e aviacionit të gjigantit të naftës.
Milicia jemenase e huthëve, e lidhur me Iranin, ka intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë ndaj Arabisë Saudite fqinje në javët e fundit dhe më parë mori përgjegjësinë për sulmet në aeroportin e Riadit dhe objekte të tjera në mbretëri.
Më herët këtë javë, autoritetet saudite të aviacionit njoftuan se aeroporti ishte shënjestër e dy sulmeve të enjten, duke vrarë tre shtetas sauditë dhe duke plagosur disa të tjerë.
Sulmet vijnë ndërsa luftimet intensifikohen midis Huthëve dhe forcave qeveritare të mbështetura nga Arabia Saudite në Jemenin e shkatërruar nga lufta.
Huthët kanë luftuar qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit për më shumë se një dekadë. Një armëpushim i arritur në vitin 2022 ngriu kryesisht konfliktin, por nuk arriti të hapë rrugën për një paqe të qëndrueshme.
Luftimet janë ndezur përsëri kohët e fundit për shkak të një lufte më të gjerë që përfshin Iranin, duke e thelluar më tej krizën humanitare në Jemen.
Arabia Saudite, një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë, më parë i ka fajësuar Huthët për sulme ndaj objektivave civile në mbretëri dhe ka kryer sulme hakmarrëse ndaj objektivave rebele në Jemen. sa/
Foto: X skrinshot