Të paktën 11 të vrarë në Gaza nga sulmet izraelite pavarësisht armëpushimit
- Të paktën 11 persona, përfshirë një çift dhe tre nga fëmijët e tyre, u vranë në sulmet e reja izraelite në Rripin e Gazës, pavarësisht armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit që hyri në fuqi në tetor të vitit 2025, njoftoi Shërbimi i Mbrojtjes Civile në enklavë.
- Post By Sara Ademi
- 15:40, 19 korrik, 2026
Gaza, 19 korrik 2026 (MIA) - Të paktën 11 persona, përfshirë një çift dhe tre nga fëmijët e tyre, u vranë në sulmet e reja izraelite në Rripin e Gazës, pavarësisht armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit që hyri në fuqi në tetor të vitit 2025, njoftoi Shërbimi i Mbrojtjes Civile në enklavë.
Një familje me pesë anëtarë u vra dje kur një sulm ajror goditi një apartament në veriperëndim të qytetit të Gazës, njoftoi shërbimi, i cili vepron nën kontrollin e lëvizjes palestineze Hamas.
"I vetmi i mbijetuar i familjes është një fëmijë, i cili nuk ishte në apartament në kohën e sulmit", tha zëdhënësi i Mbrojtjes Civile, Mahmud Basal. Trupat e pesë të vdekurve u dërguan në Spitalin "Al-Shifa", ku ata konfirmuan zyrtarisht informacionin në lidhje me viktimat.
Një zëdhënës ushtarak izraelit tha se një sulm i synuar ishte kryer në Qytetin e Gazës "ndaj një anëtari të Hamasit", duke shtuar se rezultatet e operacionit ushtarak ishin ende duke u analizuar. Nga ana tjetër, banori i Gazës Musa al-Ajmavi vuri në dukje se sulmi u krye pa asnjë paralajmërim paraprak.
"Papritmas një raketë goditi ndërtesën. Askush nuk e priste. Kishte trupa kudo - gra të vdekura, fëmijë dhe të moshuar", shtoi ky dëshmitar.
Tre persona të tjerë u vranë në një sulm izraelit ndaj një grupi civilësh në lagjen Zejtun të qytetit të Gazës, njoftoi Mbrojtja Civile, dhe informacioni u konfirmua edhe nga stafi mjekësor në Spitalin "Al Shifa". Disa orë më vonë, Basal tha se një grua u vra në të njëjtën lagje kur artileria izraelite bombardoi një tendë që strehonte persona të zhvendosur. Disa persona u plagosën në sulm dhe tre persona të tjerë ende rezultojnë të zhdukur nën rrënoja. Autoritetet lokale shëndetësore raportuan gjithashtu dy vdekje të tjera në sulme të ndara izraelite gjatë gjithë ditës.
Në pajtim me planin e paqes të propozuar nga SHBA-ja, Izraeli dhe Hamasi në tetor të vitit të kaluar nënshkruan një marrëveshje armëpushimi, por prej atëherë të dyja palët pothuajse çdo ditë akuzohen për shkeljen e tij serioze. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të cilat Kombet e Bashkuara i konsiderojnë relevante dhe të besueshme, të paktën 1.144 palestinezë humbën jetën nga hyrja në fuqi e armëpushimit të dakorduar. sa/
foto: EPA