• e hënë, 17 gusht 2026

Sulm rus ndaj Zaporozhjes, Ukraina me një sulm masiv me dronë ndaj rajonit të Moskës

Sulm rus ndaj Zaporozhjes, Ukraina me një sulm masiv me dronë ndaj rajonit të Moskës

Kiev/Moskë, 20 korrik 2026 (MIA) - Të paktën dy persona janë vrarë, ndërsa 42 janë plagosur në një sulm ajror rus në qytetin ukrainas Zaporozhje, kumtuan shërbimet ukrainase për raste urgjente. Në të njëjtën kohë, Ukraina lëshoi ​​rreth 400 dronë drejt rajonit të Moskës gjatë natës, kumtuan autoritetet ruse.

Sipas shërbimeve ukrainase, tetë fëmijë ishin midis të plagosurve në sulmin ndaj Zaporozhjes. Mediat ukrainase raportuan se forcat ruse sulmuan qytetin me bomba të drejtuara, duke goditur një ndërtesë banuese pesëkatëshe.

Në sulmin plotësisht u shkatërruan dy kate të ndërtesës, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhduan të kërkonin në rrënoja.

Zaporozhje, kryeqyteti i rajonit juglindor të Ukrainës me të njëjtin emër, ndodhet pak më shumë se 20 kilometra nga vija e frontit dhe është një objektiv i shpeshtë i sulmeve ajrore ruse.

Nga ana tjetër, autoritetet e Moskës thanë se Ukraina kishte dërguar më shumë se 400 dronë drejt rajonit të Moskës gjatë natës, shumica e të cilëve, sipas tyre, u rrëzuan nga mbrojtja ajrore ruse.

“Nga ora 20 deri në orën 5 të mëngjesit, më shumë se 400 dronë armik u drejtuan drejt rajonit të Moskës. Shumica u neutralizuan përderisa ishin ende larg qytetit, ndërsa 85 dronë u shkatërruan përderisa i afroheshin Moskës”, deklaroi përmes "Telegramit" kryebashkiaku i kryeqytetit rus, Sergej Sobjanin. 

Gjashtë persona u shtruan në spitalin në Domodedovo, në jug të Moskës, me lëndime të pësuara nga shpërthimet, pa sqaruar nëse lëndimet kishin lidhje me sulmet me dronë.

Guvernatori i Rajonit të Moskës, Andrej Vorobjov, dekklaroi se sulmet dëmtuan shtëpi private dhe infrastrukturë civile në Domodedovo, Podolsk dhe Odincovë.

“Sipas informacioneve paraprake, një person u plagos në Domodedovo për shkak të një zjarri në një shtëpi private dhe një tjetër në autostradën M-4, ku një dron ra pranë një automjeti”, tha Vorobkov.

Ukraina ka shtuar sulmet në territorin rus në muajt e fundit, duke synuar infrastrukturën energjetike, veçanërisht objektet e naftës dhe gazit, në një përpjekje për të zvogëluar burimet e financimit për aktivitetet ushtarake të Rusisë. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR