Sulltan Raev, sekretar i përgjithshëm i TURKSOJ-it për MIA: Më le mbresë respekti që populli maqedonas tregon ndaj historisë së vet
- – Më impresionon respekti që populli maqedonas tregon ndaj historisë së vet. Monumentet e shumta në Shkup dëshmojnë se ky vend i vlerëson figurat e veta historike dhe krenohet me të kaluarën e vet. Kjo është shprehje e dashurisë ndaj atdheut, rrënjëve të veta dhe kujtesës historike, thotë në një intervistë për MIA Sulltan Raev, sekretar i përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Kulturës Turke – TURKSOJ.
- Post By Fitore Curri
- 14:20, 13 korrik, 2026
Shkup, 13 korrik 2026 (MIA) –
Violeta GEROV
– Më impresionon respekti që populli maqedonas tregon ndaj historisë së vet. Monumentet e shumta në Shkup dëshmojnë se ky vend i vlerëson figurat e veta historike dhe krenohet me të kaluarën e vet. Kjo është shprehje e dashurisë ndaj atdheut, rrënjëve të veta dhe kujtesës historike, thotë në një intervistë për MIA Sulltan Raev, sekretar i përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Kulturës Turke – TURKSOJ.
Bashkëpunimi ndërmjet kësaj organizate të rëndësishme ndërkombëtare dhe Maqedonisë ka një histori të gjatë dhe konkrete, siç thekson Raev, ndërsa potencialin më të madh për thellimin e mëtejshëm të tij e sheh në fushat që lidhin ruajtjen e trashëgimisë me krijimtarinë bashkëkohore.
Raev përmend mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale, pastaj letërsinë dhe veprimtarinë e përkthimit, sepse, siç thotë ai, si shkrimtar e di mirë se letërsia mund t’i afrojë popujt në një nivel shumë të thellë. Potencial të veçantë për bashkëpunim ai sheh edhe në artet, si muzika, teatri, filmi dhe artet vizuele, më tej në bashkëpunimin akademik, digjitalizimin e fondeve muzeore dhe arkivore, si dhe në turizmin kulturor dhe, mbi të gjitha, në bashkëpunimin rinor.
– Në këtë kontekst, Ohri ka një vend të veçantë. Pasuria e tij natyrore, shpirtërore dhe kulturore meriton një promovim edhe më të fuqishëm ndërkombëtar. Përmes turizmit kulturor, Ohri mund të prezantohet edhe më me sukses në shtetet turke si një nga hapësirat kulturore më të vlefshme të Ballkanit. Megjithatë, më i rëndësishmi është bashkëpunimi rinor. Nëse artistët, studentët dhe studiuesit e rinj lidhen dhe krijojnë së bashku, marrëdhëniet tona do të kenë një të ardhme të sigurt, thotë Raev, i cili qëndroi në vend në vizitën e tij të parë zyrtare.
Delegacioni i TURKSOJ-it, i udhëhequr nga sekretari i përgjithshëm Raev, gjatë qëndrimit në vend vizitoi Muzeun e VMRO-së, Muzeun Arkeologjik dhe Ohrin, ndërsa mori pjesë edhe në koncertin gala me rastin e hapjes solemne të edicionit të 66-të të “Verës së Ohrit”, manifestimit më të rëndësishëm muzikor dhe skenik maqedonas.

Kjo është vizita juaj e kthimit në Maqedoninë e Veriut, pasi në mars të këtij viti në Ankara, së bashku me ministrin e Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, nënshkruat Memorandum për bashkëpunim institucional. Çfarë e bën Maqedoninë e Veriut një partner të rëndësishëm për TURKSOJ-in?
– Kjo është vizita ime e parë në Maqedoninë e Veriut. Prej kohësh kam pasur dëshirë ta shoh personalisht këtë vend, i cili është i lidhur pandashëm me emrin e Aleksandrit të Madh, një prej figurave më mbresëlënëse në historinë e njerëzimit.
Më ka impresionuar veçanërisht respekti që populli maqedonas tregon ndaj historisë së vet. Monumentet e shumta në Shkup dëshmojnë se ky vend i vlerëson figurat e veta historike dhe krenohet me të kaluarën e vet. Kjo është shprehje e dashurisë ndaj atdheut, rrënjëve të veta dhe kujtesës historike.
Maqedonia e Veriut është partner i rëndësishëm për TURKSOJ-in edhe për shkak të strukturës së saj shumëgjuhësore, shumëfetare dhe multikulturore. Maqedonasit, turqit, shqiptarët dhe popujt e tjerë jetojnë së bashku, duke ndarë të njëjtën hapësirë dhe një të ardhme të përbashkët. Ky është një shembull i gjallë se si gjuhë t, fetë dhe kulturat e ndryshme mund të bashkëjetojnë me respekt të ndërsjellë.
Vlera e vërtetë e një bashkëjetese të tillë qëndron në ruajtjen e identitetit kulturor të secilit popull dhe në përcjelljen e tij te brezat e ardhshëm. Diversiteti kulturor nuk duhet të shihet si një dallim që ndan, por si një pasuri që e forcon shoqërinë.
Si shkrimtar, ndiej edhe një lidhje të veçantë shpirtërore me këtë vend. Në romanin tim “Tımarhane” i referohem edhe figurave të mëdha historike dhe temave qytetëruese, ndër të cilat edhe Aleksandrit të Madh.
Memorandumi që në mars e nënshkruam me ministrin Zoran Ljutkov nuk është vetëm një dokument formal. Ai është shprehje e vullnetit tonë të përbashkët për ta forcuar afrimin kulturor, për ta mbështetur ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe për të krijuar mundësi të reja për krijimtarinë artistike.
Ne besojmë se kultura është ura më e fuqishme ndërmjet popujve. Pikërisht për këtë arsye Maqedonia e Veriut është një partner i rëndësishëm dhe afatgjatë për TURKSOJ-in.

A ka projekte apo ngjarje të ardhshme që përfshijnë Maqedoninë e Veriut, të cilat mund t’i ndani me ne?
– Bashkëpunimi ndërmjet TURKSOJ-it dhe Maqedonisë së Veriut ka një histori të gjatë dhe konkrete.
Ansamble folklorike dhe muzikore nga vendi kanë marrë pjesë në hapjet solemne të kryeqyteteve kulturore në Eskishehir, Merv, Turkestan, Kastamonu dhe Osh. Në vitin 2017, Orkestra e Dhomës për të Rinj e TURKSOY-t mbajti koncerte në Shkup dhe në kuadër të festivalit “Vera e Ohrit”.
Në vitin 2019, në bashkëpunim me Shoqatën e Pianistëve dhe Pedagogëve Muzikorë nga Manastiri, organizuam një master-klasë për piano dhe koncert me pianistin dhe dirigjentin turkmenistanas Rustam Rahmedov.
Në takimet e piktorëve të TURKSOJ-it morën pjesë artistë nga Maqedonia e Veriut, ndër të cilët Gazanfer Bajram, Alpaj Rexhep, Hakan Karabatak, Zuhal Nebi Mumin, Angelina Kitanovska, Emel Mahmut, Ebru Selman dhe Ferdi Bulut. Në vitin 2023, në Ankara organizuam edhe një ekspozitë të veprave të tyre.
Gjithashtu, e mbështesim festivalin “Hidirelez” në Çallakli, Vallandovë, si një shembull i rëndësishëm i ruajtjes së trashëgimisë kulturore jomateriale.
Memorandumi që nënshkruam me ministrin Zoran Ljutkov do të na mundësojë që ky bashkëpunim të bëhet edhe më i rregullt dhe më institucional. Në periudhën e ardhshme planifikojmë më shumë koncerte të përbashkëta, ekspozita, projekte letrare, takime shkencore dhe programe për të rinjtë.

Cilat fusha të bashkëpunimit kanë potencialin më të madh për zhvillim në të ardhmen, duke pasur parasysh qëllimet e organizatës suaj?
– Potencialin më të madh e shohim në fushat që lidhin ruajtjen e trashëgimisë me krijimtarinë bashkëkohore.
Fusha e parë është mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale. Maqedonia e Veriut ka një trashëgimi të pasur në arkitekturë, arkeologji, muzikë, veshje tradicionale, zejtari, letërsi dhe zakone.
Fusha e dytë është letërsia dhe veprimtaria e përkthimit. Si shkrimtar, e di mirë se letërsia mund t’i afrojë popujt në një nivel shumë të thellë. Prandaj, ne dëshirojmë që veprat e autorëve nga Maqedonia e Veriut të përkthehen dhe të prezantohen në shtetet turke, ndërsa letërsia e vendeve tona të jetë më e qasshme edhe këtu.
Fusha e tretë është bashkëpunimi artistik në muzikë, teatër, film dhe artet pamore. Prodhimet e përbashkëta, paraqitjet në festivale dhe rezidencat artistike mund të krijojnë lidhje të qëndrueshme ndërmjet institucioneve dhe artistëve.
Potencial të madh kanë edhe bashkëpunimi akademik, digjitalizimi i fondeve muzeore dhe arkivore, si dhe turizmi kulturor. Në këtë kontekst, Ohri ka një vend të veçantë. Pasuria e tij natyrore, shpirtërore dhe kulturore meriton një promovim edhe më të fuqishëm ndërkombëtar. Përmes turizmit kulturor, Ohri mund të prezantohet edhe më me sukses në shtetet turke si një nga hapësirat kulturore më të vlefshme të Ballkanit.
Megjithatë, më i rëndësishmi është bashkëpunimi rinor. Nëse artistët, studentët dhe studiuesit e rinj lidhen dhe krijojnë së bashku, marrëdhëniet tona do të kenë një të ardhme të sigurt.

Çfarë mundësish ofron TURKSOJ për artistët, studentët dhe studiuesit e rinj nga Maqedonia?
– Të rinjtë janë një nga prioritetet kryesore të TURKSOJ-it. Ne dëshirojmë që ata të mos jenë vetëm publik, por pjesëmarrës aktivë dhe krijues.
Një nga projektet tona të rëndësishme është Festivali i Teatrove Studentore, i cili mbledh studentët e akademive dramatike dhe universiteteve. Atje ata prezantojnë shfaqjet e tyre, marrin pjesë në klasa master dhe krijojnë kontakte profesionale.
Ne organizojmë gjithashtu takime të poetëve dhe shkrimtarëve të rinj, ku autorët e rinj lexojnë veprat e tyre, diskutojnë për përkthimin dhe njihen me traditat letrare të vendeve të tjera.
Për piktorët, fotografët dhe muzikantët e rinj ekzistojnë takime artistike, ekspozita, projekte orkestrale, koncerte dhe klasa master. Studiuesit e rinj mund të marrin pjesë në konferenca shkencore, tubime turkologjike dhe projekte kushtuar trashëgimisë kulturore.
TURKSOY ofron gjithashtu mundësinë që të rinjtë të njihen me punën e një organizate ndërkombëtare kulturore. Për studentët që dëshirojnë të punojnë në fushën e kulturës, marrëdhënieve ndërkombëtare, përkthimit, protokollit, komunikimeve dhe diplomacisë kulturore, praktika profesionale mund të jetë një përvojë e rëndësishme profesionale.
Qëllimi ynë është që, në bashkëpunim me Ministrinë, universitetet dhe institucionet kulturore, këto mundësi të bëhen edhe më të qasshme për të rinjtë nga Maqedonia e Veriut.

Sa i rëndësishëm është zbatimi i teknologjive moderne digjitale në promovimin e trashëgimisë kulturore?
– Në botën bashkëkohore, teknologjitë digjitale zhvillohen me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë dhe ne duhet t’i shfrytëzojmë maksimalisht mundësitë e tyre për promovimin e trashëgimisë së pasur kulturore të popujve tanë.
Ato nuk duhet t’u shërbejnë vetëm proceseve teknologjike, por edhe ruajtjes, studimit dhe përcjelljes së trashëgimisë kulturore te brezat e ardhshëm.
Rëndësi të veçantë i kushtojmë digjitalizimit të koleksioneve muzeore, fondeve bibliotekare, arkivave, dorëshkrimeve, fotografive, filmave, incizimeve muzikore dhe objekteve të trashëgimisë materiale dhe jomateriale.
Në këtë mënyrë, vlerat kulturore bëhen më të qasshme për studiuesit, të rinjtë dhe publikun botëror. Arkivat digjitale, muzetë virtualë dhe ekspozitat interaktive bëjnë të mundur që trashëgimia të ruhet dhe të prezantohet më gjerësisht.
Në të njëjtën kohë, është shumë e rëndësishme që zhvillimi digjital të zhvillohet me përgjegjësi. Nuk është rastësi që edhe UNESCO sot i kushton vëmendje të madhe etikës së inteligjencës artificiale dhe shkëmbimit ndërkombëtar të përvojave në këtë fushë. Kjo tregon se
teknologjitë moderne duhet të zbatohen me kujdes, në shërbim të njeriut, kulturës dhe të mirës së përgjithshme.
Jam i bindur se teknologjitë moderne duhet të bëhen pjesë e pandashme e sferës kulturore. Në këtë drejtim, veçanërisht të rëndësishme janë shkëmbimi i përvojave, projektet e përbashkëta dhe zbatimi i praktikave të mira në digjitalizim.
Për TURKSOJ-in, kjo është një nga fushat e rëndësishme të bashkëpunimit të ardhshëm.

Organizata juaj ndërkombëtare ekziston prej më shumë se 30 vitesh. Cilat projekte do t’i veçonit nga puna e deritanishme e organizatës dhe cilat janë qëllimet për pesë vitet e ardhshme? A keni në plan ndonjë projekt të madh?
– TURKSOJ prej më shumë se tri dekadash punon për ruajtjen dhe promovimin ndërkombëtar të kulturës së popujve turq.
Një nga projektet tona më të rëndësishme është “Kryeqyteti Kulturor i Botës Turke”. Çdo vit, një qytet bëhet qendër e aktiviteteve kulturore, artistike, shkencore dhe turistike. Ky projekt kontribuon në dukshmërinë ndërkombëtare të qyteteve, zhvillimin e turizmit kulturor dhe mbështetjen e artistëve lokalë.
Shumë të rëndësishme janë edhe vitet kushtuar figurave të mëdha të kulturës dhe letërsisë, si Çingiz Ajtmatov, Abai Kunanbaj, Mahtumkuli Fragi, Junus Emre, Zija Gëkalp dhe Mehmet Akif Ersoj.
Takimet tona të piktorëve, fotografëve, poetëve, shkrimtarëve, kompozitorëve dhe të rinjve kanë krijuar një rrjet të gjerë të bashkëpunimit kulturor. Një vend të veçantë zënë edhe koncertet, festivalet teatrore, ekspozitat, konferencat shkencore dhe veprimtaria botuese.
Në pesë vitet e ardhshme duam ta forcojmë strukturën institucionale të TURKSOJ-it dhe ta zgjerojmë bashkëpunimin me Ballkanin dhe me rajonet e tjera partnere.

Një nga projektet e rëndësishme të së ardhmes është karta e përbashkët muzeore, e cila duhet t’u mundësojë qytetarëve qasje më të lehtë në
muzetë dhe institucionet kulturore në shtete të ndryshme turke. Kjo do të kontribuojë edhe në zhvillimin e turizmit kulturor.
Një fushë tjetër e rëndësishme është alfabeti i përbashkët turk i bazuar në alfabetin latin. Qëllimi i tij nuk është të zëvendësojë alfabetet kombëtare, por ta lehtësojë komunikimin, përkthimin dhe leximin e ndërsjellë.
Ne planifikojmë gjithashtu krijimin e një platforme të madhe kulturore digjitale, në të cilën do të bashkohen vepra letrare, arkiva muzikore, objekte muzeore, fotografi, filma dhe botime shkencore.
Do të vazhdojmë të zhvillojmë mobilitetin rinor, programet e praktikës profesionale, rezidencat artistike dhe produksionet e përbashkëta teatrore, muzikore dhe filmike.
Qëllimi ynë është që TURKSOJ të mos jetë vetëm një organizatë që organizon ngjarje, por një qendër e fuqishme e diplomacisë kulturore, kërkimit shkencor, digjitalizimit dhe bashkëpunimit rinor.

Foto: MIA