Stuhi e madhe rëre në Irak: Mbi 800 persona shtrohen në spital për shkak të problemeve me frymëmarrjen
- Gjithsej 837 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të problemeve serioze me frymëmarrjen në dy ditët e fundit, si pasojë e një stuhie të fortë rëre dhe pluhuri që goditi Irakun, informoi sot Ministria e Shëndetësisë në Irak.
- Post By Fami Bajrami
- 17:47, 19 maj, 2026
Bagdad, 19 maj 2026 (MIA) – Gjithsej 837 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të problemeve serioze me frymëmarrjen në dy ditët e fundit, si pasojë e një stuhie të fortë rëre dhe pluhuri që goditi Irakun, informoi sot Ministria e Shëndetësisë në Irak.
Siç raportohet nga agjencia DPA, disa provinca në vend janë prekur nga fatkeqësia natyrore. Autoritetet shëndetësore në Bagdad dhe rajone të tjera janë vënë në gatishmëri të lartë për të ofruar kujdes dhe trajtim të përshtatshëm mjekësor për popullatën e prekur.
Pamjet e postuara në mediat sociale tregojnë disa qytete, përfshirë kryeqytetin të mbuluara plotësisht nga mjegulla e dendur portokalli.
A powerful dust storm has swept across Iraq, including Najaf and Baghdad, sending people to hospital with breathing difficulties.#Iraq #DustStorm pic.twitter.com/SJkeNiYKkW
— International Crisis Room 360 (@ICR360) May 19, 2026
Stuhitë e rërës janë një dukuri e rregullt në Irak dhe zakonisht shkaktohen nga erërat e forta veriperëndimore që fryjnë përgjatë lumenjve Tigër dhe Eufrat në rajonin e shkretëtirës, veçanërisht gjatë muajve të ngrohtë të vitit. Megjithatë, vendi kohët e fundit ka pasur vështirësi të përballojë pasojat, pasi përballet me një thatësirë të rëndë.
Ekspertët theksojnë se kjo nuk është vetëm rezultat i ndryshimeve klimatike globale, por edhe i politikave të gabuara të menaxhimit të ujit në vend. Grimcat e imëta të pluhurit në ajër përkeqësojnë ndjeshëm cilësinë e mjedisit dhe përbëjnë një rrezik serioz për shëndetin publik.
Foto: piksabej/ilustrim