• e shtunë, 14 qershor 2025

Studentët e Fakultetit Pedagogjik të UT-së realizuan vizitë studimore në Stamboll

Studentët e Fakultetit Pedagogjik të UT-së realizuan vizitë studimore në Stamboll

Tetovë, 13 maj 2025 

Në kuadër të aktiviteteve arsimore-shkencore të planifikuara për këtë vit, studentët e Fakultetit Pedagogjik të udhëhequr nga dekani, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, prodekania për Arsim, Prof. Dr. Besa Havziu dhe disa profesorë, realizuan një vizitë studimore në qytetin e Stambollit, prej 9–11 maj 2025.

Stambolli, si një nga qendrat më të rëndësishme historike dhe kulturore, ka pasur një rol të veçantë edhe në historinë e popullit shqiptar. Në këtë qytet kanë vepruar figura të njohura të Rilindjes Kombëtare si Sami dhe Naim Frashëri, si dhe Pandeli Sotiri, të cilët përmes “Shoqërisë së Shtypjes së Teksteve Shqipe” kontribuuan në themelimin e shkollës së parë shqipe në Korçë më 1887, duke e furnizuar atë me tekste shkollore në gjuhën amtare.

Në ditën e parë të vizitës, studentët patën mundësi të vizitojnë monumente të rëndësishme historike dhe kulturore, si Xhamia Sulejmanije (vepër e arkitektit të njohur Mimar Sinani), Aja Sofinë dhe Pazarin e Madh (Kapali Çarshinë).

Gjatë kësaj vizite, studentët u pritën edhe nga përfaqësues të shoqatës “Vëllazëria Shqiptare” në Stamboll, konkretisht nga ish-kryetari i saj Halil Metin dhe aktivistja Deniz Sever – të dy me prejardhje nga Kërçova. Gjatë bashkëbisedimit, u theksua roli i rëndësishëm që kjo shoqatë ka luajtur në promovimin e kulturës shqiptare, si dhe në lobimin për çështjen e Kosovës në periudhat kur ajo nuk kishte përfaqësi zyrtare në Turqi. Z. Metin përmendi se nëpërmjet kontakteve me figura të larta të shtetit turk, si Presidenti Süleyman Demirel dhe Kryeministrat Bülent Ecevit e Tansu Çiller, shoqata ka kontribuar në ndërgjegjësimin institucional për të mbështetur të drejtat dhe aspiratat e popullit të Kosovës.

Veprimtarët Halil Metin, Qamil Bytyqi dhe Murat Lajçi janë përfshirë në angazhime të shumta në shërbim të çështjes kombëtare, duke bashkëpunuar me personalitete të larta politike shqiptare si Presidenti Ibrahim Rugova, Alfred Moisiu, Hashim Thaçi, Agim Çeku dhe Edita Tahiri. Për kontributin e tyre, janë nderuar me mirënjohje nga Presidenti Rugova dhe dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, me titullin “Naim Frashëri”.

Gjatë ditës së dytë, studentët vizituan lagje me rëndësi historike e kulturore si Ortakoy, Ura dhe Porti i Galatës, Balat dhe Taksim. Vizita u përmbyll në ditën e tretë me një udhëtim me anije nëpër ngushticën e Bosforit, ku studentët patën mundësi të përjetojnë bukuritë natyrore dhe arkitekturore të këtij qyteti unik.

Vizita studimore në Stamboll u vlerësua si një përvojë e rëndësishme kulturore, edukative dhe ndërvepruese për studentët, duke i pasuruar ata me njohuri të reja dhe përjetime të drejtpërdrejta mbi trashëgiminë historike dhe kulturore.

Foto: UT

___________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

QËNDRONI TË LIDHUR