• e hënë, 12 tetor 2026

Shqipëria dhe kompania amerikane "Arxhent LNG" do të ndërtojnë terminal për gaz natyror

Shqipëria dhe kompania amerikane

Uashington, 11 shtator 2026 (MIA) - Kompania amerikane "Arxhent LNG" dhe Shqipëria në Detin Adriatik do të ndërtojnë një terminal të madh për deponimin dhe rigazifikimin e gazit natyror, përmes të cilit do të furnizoheshin tregjet në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore.

Është paraparë që terminali të jetë me kapacitet prej pesë milionë tonësh në vit.

“Shqipëria ka mundësi të bëjë për Evropën Juglindore atë që nuk ka nevojë të bëjë për veten, të shërbejë si pikë furnizimi të sigurt, me pikëmbështetje në SHBA, që e forcon sigurinë energjetike të fqinjëve të saj dhe qëndron në anën e Ukrainës në kohë kur energjia po përdoret si armë kundër rajonit”, deklaroi drejtori ekzekutiv i "Arxhent LNG", Xhonatan Bas.

Kompania kumtoi se ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Qeverinë shqiptare për zhvillim të përbashkët të terminalit, që do të lidhej me Gazsjellësin transadriatik (TAP), Gazsjellësin e planifikuar Jon-Adriatik (IAP) dhe korridorin e gazit Fier-Vlorë në Shqipëri, duke mundësuar shpërndarjen e gazit të lëngshëm natyror amerikan në tregjet rajonale.

Përmes aranzhmaneve rajonale të gazit, kjo infrastrukturë ka potencial të kontribuojë për sigurinë energjetike të Ukrainës.

Shqipëria është anëtare e Iniciativës së "Tre Deteve" dhe shtetet anëtare planifikojnë ta zhvillojnë këtë terminal si projekt kryesor në kuadër të kësaj iniciative.

"Arxhent LNG" nënshkroi memorandum mirëkuptimi me kompaninë shtetërore energjetike turke "Botash" dhe kompaninë ukrainase "Naftogaz" në korrik, ndërsa në gusht edhe me operatorin rumun të transportit të gazit "Transgaz". bsh/

Foto: MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR