• e mërkurë, 07 tetor 2026

Shkencëtarët: Gushti ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë

Shkencëtarët: Gushti ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë

Londër, 10 shtator 2026 (MIA) - Gushti ishte muaji më i ngrohtë në historinë e matjeve në botë, me temperatura globale për 1,65 gradë Celsius mbi nivelin paraindustrial, njoftuan shkencëtarët.

Muaji i kaluar e barazoi korrikun e vitit 2023 si muaji më i ngrohtë kalendarik në historinë e matjes së temperaturave, ndërsa njëherit është edhe gushti më i ngrohtë ndonjëherë i regjistruar në botë, njoftuan shkencëtarët e Shërbimit për ndryshime klimatike "Kopernik" të Bashkimit Evropian.

Evropa Perëndimore ka përjetuar verën e saj më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të vendosur në vitin 2003, njoftoi "Kopernik".

Valët e të nxehtit në gusht vazhduan një seri valësh ekstreme të të nxehtit që filluan në maj, kushte të rënda thatësire goditën Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Hungarinë, Rumaninë dhe Serbinë, dhe lumenjtë kryesorë, nga Rajna dhe Danubi deri në Dnjepër, u përballën me nivele jashtëzakonisht të ulëta uji, thanë shkencëtarët e "Kopernikut".

Globalisht, muaji ishte 1.65 gradë Celsius mbi mesataren e vlerësuar për periudhën 1850-1900, një kohë para se njerëzit të fillonin të digjnin lëndë djegëse fosile në masë - duke çliruar gazra serrë që do të vazhdojnë ta ngrohin më tej planetin derisa emetimet të reduktohen në zero, e njohur si zero neto.

Shkencëtarët thanë se gushti shënoi një rikthim të temperaturave mbi pragun kyç prej 1.5 gradë Celsius mbi mesataret para-industriale, hera e parë që kjo shifër është thyer që nga nëntori i vitit 2025.

Muaji i kaluar solli gjithashtu temperatura rekord të larta në sipërfaqen e detit, si rezultat i ngrohjes globale nga djegia e lëndëve djegëse fosile dhe ngrohjes së shpejtë të deteve të Paqësorit të shoqëruar me fenomenin e fortë të motit El Ninjo, njoftuan shkencëtarët.

Temperaturat e sipërfaqes së detit jashtë rajoneve polare ishin më të lartat e regjistruara ndonjëherë për gushtin, me 21.07 gradë Celsius, dhe barazuan për më të lartën e çdo muaji së bashku me marsin e vitit 2024.

Samanta Berxhek, udhëheqëse strategjike për klimën në Qendrën Evropiane për parashikime afatmesme të motit (ECMWF), deklaroi:

"Gushti i vitit 2026 ishte një muaj i jashtëzakonshëm në të dhënat globale të klimës."

"Ishte gushti më i ngrohtë dhe muaji më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë, me temperatura globale që arritën 1.65 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale, duke shënuar rikthimin e temperaturave globale mbi 1.5 gradë Celsius", shtoi ajo.

Duke reaguar ndaj shifrave të fundit, Garet Redmond-King, kreu i programit ndërkombëtar në Njësinë e Informacionit për Energjinë dhe Klimën (ECIU), tha se një tjetër "sirenë paralajmëruese" kishte rënë vetëm dy muaj para samitit të ardhshëm të KB-së për klimën, i njohur si COP31.

Frederike Oto, profesoreshë e ndryshimeve klimatike në Kolexhin Imperial në Londër, deklaroi: "Rrezikoj të dukem si një disk i prishur, por këto shifra nuk duhet të habisin askënd".

"Nuk duhet të jesh shkencëtar i klimës për të parë provat e ndryshimit të klimës, thjesht duhet të shikosh nga dritarja", shtoi ajo.

"Ndërsa El Ninjo po fillon të rrisë thatësirat, shkaku themelor mbetet djegia jonë e vazhdueshme e lëndëve djegëse fosile. Ndryshimi i klimës po e bën çdo El Ninjo edhe më të nxehtë, dhe derisa të ndalojmë djegien e qymyrit, naftës dhe gazit, këta muaj rekord thjesht do të vazhdojnë të ndodhin", theksoi Oto. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR