• e enjte, 15 tetor 2026

SHBA-ja planifikon ndihmë prej 242 milionë dollarë shtesë për luftën kundër Ebolës në Afrikë

SHBA-ja planifikon ndihmë prej 242 milionë dollarë shtesë për luftën kundër Ebolës në Afrikë

Uashington, 6 gusht 2026 (MIA) - Administrata e presidentit amerikan, Donald Tramp, planifikon të sigurojë 242 milionë dollarë shtesë për të mbështetur luftën kundër epidemisë së Ebolës në Afrikë, kumtoi Departamenti i shtetit amerikan. 

Mjetet, miratimi i të cilave varet nga konsultimet me Kongresin, do të synojnë reagimin e shpejtë ndaj epidemisë, forcimin e gatishmërisë rajonale dhe ndihmën humanitare në lidhje me përhapjen e sëmundjes.

Megjithatë, që nga marrja e detyrës në janar të vitit 2025, administrata e Trampit ka ulur ndjeshëm programet e ndihmës ndërkombëtare. Janë reduktuar mjetet e ndihmës së huaj, janë rishikuar disa programe ndërkombëtare, ndërsa SHBA-ja është tërhequr gjithashtu nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Nga Departamenti i Shtetit theksuan se financimi i ri mbështetet në angazhimet që SHBA-ja mori në Samitin e G7 në qershor dhe e çon ndihmën totale të drejtpërdrejtë të SHBA-së për reagimin ndaj Ebolës në më shumë se 512 milionë dollarë.

Përveç kësaj, administrata paralajmëroi një ndihmë shtesë prej 350 milionë dollarë humanitare për Republikën Demokratike të Kongos, Sudanin jugor dhe Ugandën. Ato mjete janë pjesë e një pako prej 1,8 miliardë dollarësh të shpallur më parë për Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e çështjeve humanitare (OCHA) dhe kanë për qëllim të mbështesin shumë vende.

Ebola është një sëmundje virale shumë ngjitëse dhe shpesh vdekjeprurëse që transmetohet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë ose përmes lëngjeve trupore.

Organizata "Mjekët pa Kufij" paralajmëruan se dy muaj e gjysmë pas fillimit të shpërthimit, situata në Republikën Demokratike të Kongos lindore është më kritike se kurrë. Është shpërthimi më i madh i Ebolës i regjistruar ndonjëherë në vend, me më shumë se 3.600 raste të konfirmuara në laborator dhe më shumë se 1.500 vdekje. 

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR