• e shtunë, 15 nëntor 2025

Shahini: I hedh poshtë si të pavërteta pretendimet se pas rastit qëndron bashkëshortja ime, kërkoj që autoritetet të gjejnë të dyshuarin e vërtetë

Shahini: I hedh poshtë si të pavërteta pretendimet se pas rastit qëndron bashkëshortja ime, kërkoj që autoritetet të gjejnë të dyshuarin e vërtetë

Kumanovë, 10 tetor 2025 (MIA)- E tërë kjo që u përcoll në opinion, janë shpifje të pastra të cilat tentojnë të dëmtojnë reputacionin tim personal, familjar dhe profesional, tha në konferencën e sotme për shtyp, mjeku Zekirija Shahini në lidhje me njoftimet fillestare të autoriteteve për përfshirje të mundshme të bashkëshortes së tij në incidentin e armatosur në Kumanovë, ku mbeti i plagosur ai.

Shahini tha se prapa incidentit nuk qëndron bashkëshortja e tij.

“Tërësisht i hedh të pabaza dhe të pavërteta pretendimet se pas këtij akti qëndron, bashkëshortja Arjeta Adili. Andaj urgjentisht kërkoj nga organet hetuese që të sqarojnë situatën rreth zonjës të përfshirë në këtë rast nga ana e tyre”, tha mes tjerash Shahini.

Shahini tha se nuk ka asnjë informacion apo njohuri rreth motiveve të sulmit, se siç njoftoi më parë në rrjetet sociale dhe pas deklaratës së tij fillestare para autoriteteve hetuese edhe sot para publikut, nuk ka hesape të pazgjidhura me askënd, nuk i ka kërcënuar jetën askujt, as privatësinë apo ndonjë gjë tjetër.

Ai kërkoi nga mediat që në interes të raportimit të saktë, objektiv dhe në frymën e respektimit të standardeve profesionale dhe etike të gazetarisë ta publikojnë këtë shpjegim dhe u bëri thirrje autoriteteve që të vazhdojnë të zbulojnë autorin e vërtetë të këtij akti, duke theksuar se qëndron në dispozicion sa herë që është e nevojshme për të ndihmuar në sqarimin e rastit, sepse është personalisht i interesuar që rasti të marrë epilog sa më shpejt të jetë e mundur dhe e vërteta të del në shesh.

"U bëj thirrje edhe subjekteve politike që të mos nxitojnë me deklarata dhe të mos e përdorin këtë rast për pikë politike, veçanërisht në këto momente fushate për zgjedhjet lokale", ka thënë mes tjerash Shahini.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR