Shërbimet gjermane të punësimit i kërkojnë qeverisë të mos zvogëlojë lejet për punëtorët nga Ballkani Perëndimor
- Post By Sara Ademi
- 19:35, 16 tetor, 2026
Nyrëmberg, 16 tetor 2026 (MIA) - Shërbimet gjermane të punësimit e kanë paralajmëruar qeverinë që të mos e përgjysmojë kuotën për punëtorët nga vendet e Ballkanit Perëndimor jo anëtare të BE-së, duke deklaruar se kjo mund ta përkeqësojë më tej mungesën akute të fuqisë punëtore të kualifikuar në vend, raportoi DPA.
Agjencia Federale e Punësimit në Nyrëmberg njoftoi sot se më shumë se gjysmë milionë njerëz nga Ballkani Perëndimor janë aktualisht të punësuar në Gjermani në vende pune për të cilat paguhen kontribute të sigurimeve sociale.
Vanesa Ahuxha, anëtare e bordit drejtues të Agjencisë, tha se kuota aktuale vjetore prej 50,000 personash nga rajoni që mund të vijnë për të punuar në Gjermani - e njohur si "Rregullorja e Ballkanit Perëndimor" - nuk duhet të reduktohet.
Aktualisht, 53 përqind e njerëzve që janë zhvendosur në Gjermani nga ky rajon punojnë si punëtorë të kualifikuar ose kanë kualifikime më të larta. Rreth gjysma e tyre punojnë në sektorë ku ka një mungesë kritike të fuqisë punëtore, kujton DPA.
"Përgjysmimi i kuotës do të dobësojë një model të suksesshëm imigracioni, do të përkeqësojë mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe do ta bëjë më të vështirë për kompanitë të gjejnë punëtorë të rinj", tha Ahuxha.
Ajo shtoi se, që programet e investimeve speciale të qeverisë dhe plani i ndërtimit "turbo" të jenë të suksesshme, "kompanitë duhet të kenë aftësinë për të gjetur punëtorë të përshtatshëm".
Programi "turbo" (i njohur si *Bauturbo*) është një iniciativë legjislative gjermane që synon përshpejtimin e ndërtimit të ndërtesave të banimit dhe zbutjen e mungesës së strehimit duke anashkaluar përkohësisht rregulloret e rrepta të planifikimit hapësinor dhe duke shkurtuar procedurën e lejeve, deri në vitin 2030.
Qeveria planifikon ta përgjysmojë kuotën për punëtorët nga Ballkani Perëndimor, duke filluar nga janari i vitit 2027. Kjo do të thotë se çdo vit vetëm 25,000 njerëz nga ai rajon do të jenë në gjendje të pranojnë punë në Gjermani, kujton DPA. sa/
Foto: MIA arkivi