• e mërkurë, 07 tetor 2026

Samiti i sigurisë së Arktikut në Finlandë: Udhëheqësit e BE-së kërkojnë investime më të mëdha dhe mbrojtje të forcuar kundër kërcënimeve ruse

Samiti i sigurisë së Arktikut në Finlandë: Udhëheqësit e BE-së kërkojnë investime më të mëdha dhe mbrojtje të forcuar kundër kërcënimeve ruse

Rovanjemi, 13 shtator 2026 (MIA) - Udhëheqësit e disa vendeve evropiane mblidhen sot në qytetin finlandez Rovanjemi për një samit kushtuar sigurisë në Arktik, ku do të shprehin shqetësim për tensionet gjeopolitike në rritje dhe aktivitetet e Rusisë dhe Kinës, duke kërkuar që BE të marrë një "rol më strategjik dhe proaktiv" duke rritur ndjeshëm asetet mbrojtëse dhe lëvizshmërinë ushtarake.

Nikoqir i takimit është kryeministri finlandez Peteri Orpo, i cili mbështet investime më të mëdha nga Bashkimi Evropian në Arktikun evropian dhe në infrastrukturën që është e rëndësishme për sigurinë dhe mbrojtjen.

"Evropa po mbrohet këtu, tha Orpo, duke treguar rëndësinë strategjike të kufirit të Finlandës me Rusinë, rreth 1,340 kilometra i gjatë, që shtrihet nga Deti Baltik deri në Arktik.

Sipas tij, duke qenë se Rusia dhe Kina po konkurrojnë për përdorimin dhe kontrollin e Arktikut, ekziston një interes i përbashkët që BE-ja dhe SHBA-ja të veprojnë së bashku.

"Arktiku është vendi ku interesat mbivendosen, duke pasur parasysh se SHBA-ja dëshiron gjithashtu që Evropa të marrë përsipër një pjesë të barrës së mbrojtjes së saj, si dhe faktin se është vendi ku Rusia mirëmban disa nga objektet e saj më të rëndësishme ushtarake", shtoi ai.

Sipas një drafti të komunikatës përfundimtare nga takimi, të cilën Blumberg e ka parë, udhëheqësit evropianë pritet t'i bëjnë thirrje BE-së të marrë një rol më aktiv dhe të ofrojë burime të mjaftueshme në përputhje me rrethanat e ndryshuara gjeopolitike.

Draft-dokumenti thekson veçanërisht nevojën për investime më të mëdha në lëvizshmërinë ushtarake - duke përfshirë rrugët, hekurudhat, infrastrukturën digjitale dhe teknologjitë satelitore - si dhe në aftësitë për t'iu përgjigjur kërcënimeve hibride.

"Ambiciet ruse për të rritur ndikimin e saj në Arktik, të kombinuara me qëndrimet armiqësore ndaj Evropës dhe rritjen e aktiviteteve hibride, nënvizojnë nevojën për të forcuar politikën e BE-së në Arktik", thuhet në dokument.

Në samit marrin pjesë kancelari gjerman Fridrih Merc, kryetari i Këshillit Evropian Antonio Koshta dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për punët e jashtme dhe politikën e sigurisë Kaja Kallas, si dhe udhëheqësit e Danimarkës, Polonisë, Rumanisë dhe shteteve baltike. Franca përfaqësohet nga ministri i Jashtëm Zhan-Noel Baro.

Orpo tha se Evropa duhet të jetë mjaftueshëm e fortë në mënyrë që Rusia të mos mendojë se mund ta vërë në provë solidaritetin e NATO-s dhe BE-së në veri të kontinentit ose në rajonin e Baltikut. Ai vuri në dukje aktivitetet gjithnjë e më serioze ruse, duke përfshirë shkeljet e hapësirës ajrore, sulmet kibernetike, operacionet hibride dhe presionin përmes migrimit.

Zyrtarët ushtarakë finlandezë presin që Rusia, pas përfundimit të luftës në Ukrainë, mund ta forcojë më tej praninë e saj ushtarake në Rajonin Arktik. Me rëndësi të veçantë në këtë kontekst është Gadishulli Kola, ku janë të stacionuara pjesë të triadës bërthamore ruse, duke përfshirë Flotën Veriore dhe nëndetëset me raketa balistike.

Për t'iu përgjigjur këtyre sfidave, Komisioni Evropian ka propozuar 131 miliardë euro për programet e mbrojtjes, sigurisë dhe hapësirës në kuadrin e ardhshëm buxhetor, rreth pesë herë më shumë se fondet e disponueshme në buxhetin aktual. Përveç kësaj, fondet për lëvizshmërinë ushtarake do të rriten deri në dhjetëfish.

Samiti do të shqyrtojë gjithashtu mundësinë e prokurimit dhe përdorimit të përbashkët të akullthyesve, duke marrë parasysh trafikun e rritur detar dhe rëndësinë e shtuar të sigurisë së Arktikut për shkak të ndryshimeve klimatike. sa/

foto: arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR