Sallatë freskuese, plot ngjyra dhe e thjeshtë, e shkëlqyer për ditë të nxehta. Kombinimi i makaronave, domateve lëngshme shery, kastravecit dhe salçiçes,duke shtuar parmixhano dhe salcë aromatike limoni, e bën ideal si drekë, darkë ose pjatë anësore e lehtë.
Përbërësit:
250 gr makarona fusilli
120 gr domate sherry
1 kastravec
80 gr salçiçe
1 qepë e kuqe
2 lugë gjelle majdanoz i grirë imët
25 gr parmixhano i grirë
Për salcën:
4 lugë gjelle vaj ulliri
½ lugë çaji erëza mesdhetare
piper i zi i sapobluar
2–3 lugë gjelle lëng limoni të shtrydhur i freskët ose uthull balsamike
Përgatitja:
Ziejini makaronat në ujë të kripur sipas udhëzimeve në paketim. Sigurohuni që të mbeten al dente. Kullojini makaronat e ziera dhe shpëlajini me ujë të ftohtë për të ndaluar zierjen. Lërini të kullojnë mirë dhe të ftohen. Prisni domatet shery përgjysmë, pritini kastravecin në gjysmë rrathe, qepën në shirita dhe salçiçen në feta të holla. Vendosni makaronat e ftohta, domatet, kastravecin, qepën, salçiçen dhe majdanozin e grirë në një tas të madh. Në një enë të vogël, përzieni vajin e ullirit, erëzat mesdhetare, piperin e zi dhe lëngun e limonit ose uthullën balsamike. Hidhni salcën mbi sallatë dhe përziejini lehtë për të kombinuar në mënyrë të barabartë të gjithë përbërësit. Në fund, shtoni djathin parmixhano të grirë dhe përziejini përsëri lehtë. Vendoseni sallatën në frigorifer për të paktën 30 minuta para se ta servirni, në mënyrë që shijet të përzihen mirë. Para se ta servirni, mund të shtoni pak më shumë parmixhano, majdanoz të freskët dhe disa pika vaj ulliri.
FOTO: Magnific