Sërish nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës, seanca është ndërprerë dhe do të vazhdojë të premten
- Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, deklaroi se seanca e sotme konstituive e Kuvendit anulohet dhe do të vazhdojë më 11 shtator.
- Post By Besnik Shuki
- 15:17, 9 shtator, 2026
Prishtinë, 9 shtator 2026 (MIA) – Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, deklaroi se seanca e sotme konstituive e Kuvendit anulohet dhe do të vazhdojë më 11 shtator.
Haxhiu theksoi se propozimi për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb, të cilin Igor Simiq e përmendi si propozim në emër të popullit serb, është jokushtetues dhe në kundërshtim me rregulloren e punës.
Ajo i kërkoi përfaqësuesit të Listës Serbe, Simiq, që ta tërheqë propozimin dhe ta harmonizojë me Kushtetutën e Kosovës dhe rregulloren.
Haxhiu deklaroi edhe se propozimet për nënkryetarë të parlamentit nga Partia Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Kujtim Shala, nuk kanë mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe për këtë arsye seanca është ndërprerë.
Paraprakisht, Haxhiu u rizgjodh kryetare e Parlamentit me 62 vota "pro", 16 "kundër", ndërsa 13 deputetë "abstenuan". Haxhiu ishte kryetare e Kuvendit në përbërjen e mëparshme. Ajo është edhe ushtruese e detyrës presidente e Kosovës.
Pas zgjedhjes së saj, seanca u ndërpre pasi përfaqësuesit e grupeve parlamentare nuk u dakorduan për metodën e votimit për nënkryetarët, respektivisht nëse do të votohej individualisht apo si grup.
Për nënkryetarë të Kuvendit, krahas Çitakut, Shalës dhe Simiqit, janë propozuar edhe Ardian Golja nga Vetëvendosja dhe Emilia Rexhepi nga komunitetet tjera pakicë. bsh/
Foto: MIA arkiv