Së paku 21 persona e humbën jetën në aksidentin e autobusit në Kepin e Gjelbër
- Të paktën 21 persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur pas një aksidenti tragjik me autobus në ishullin Fogo, në Kepin e Gjelbër, pasi që autobusi me nxënës doli nga rruga dhe ra në humnerë të gjatë rreth 30 metra.
- Post By Arta Bunjaku
- 12:16, 6 shtator, 2026
Praja, 6 shtator 2026 (MIA) - Të paktën 21 persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur pas një aksidenti tragjik me autobus në ishullin Fogo, në Kepin e Gjelbër, pasi që autobusi me nxënës doli nga rruga dhe ra në humnerë të gjatë rreth 30 metra.
Aksidenti ndodhi të shtunën në mbrëmje, në rrugën që lidh zonën e Ça das Kaldeiras me Kampanas de Sima, në pjesën veriore të bashkisë Sao Filipe. Sipas autoriteteve lokale, autobusi doli nga rruga dhe ra rreth 30 metra në një shpat të thepisur.
Presidenti i Kepit të Gjelbër, Hoze Maria Neves, fillimisht njoftoi për 10 viktima, por më vonë e përditësoi bilancin në 21 të vdekur. Ai shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave.
Sipas agjencisë lokale të lajmeve Inforpress, pjesa më e madhe e personave në autobus ishin të rinj, kryesisht nxënës të shkollave të mesme nga Kural Grande dhe Ponta Verde. Mes viktimave ishte edhe drejtuesi i autobusit.
Autoritetet arsimore sqaruan se udhëtimi nuk ishte organizuar nga shkollat. Bëhej fjalë për një ekskursion privat, të organizuar çdo vit nga shoferi për nxënësit që ai transportonte gjatë vitit shkollor.
Shkaku i aksidentit tani për tani nuk është konfirmuar dhe është inicuar hetim për konstatimin e rrethanave nën të cilat autobusi doli nga rruga. ab/
Foto/МIА arkivi