Rute: Sulmet e reja amerikane ndaj Iranit ishin plotësisht të domosdoshme
- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, sot nga samiti i NATO-s në Ankara deklaroi se sulmet e reja të SHBA-së ndaj Iranit ishin "plotësisht të domosdoshme", duke vlerësuar se Uashingtoni duhej të reagonte me vendosmëri pas, siç deklaroi, shkeljes së armëpushimit nga ana e Iranit.
- Post By Ramize Qamili
- 09:44, 8 korrik, 2026
Ankara, 8 korrik 2026 (MIA) - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, sot nga samiti i NATO-s në Ankara deklaroi se sulmet e reja të SHBA-së ndaj Iranit ishin "absolutisht të domosdoshme", duke vlerësuar se Uashingtoni duhej të reagonte me vendosmëri pas, siç deklaroi, shkeljes së armëpushimit nga ana e Iranit.
"Kur ke një armëpushim, ndërsa Irani praktikisht e shkel atë, mendoj se është absolutisht e rëndësishme që SHBA-ja të reagojnë fuqishëm", tha Rute para fillimit të samitit në Ankara, njoftuan mediat britanike.
Ai pret që edhe aleatët të riafirmojnë qëndrimin e tyre gjatë ditës se Irani duhet ta hapë plotësisht Ngushticën e Hormuzit për transportin ndërkombëtar detar.
Duke folur për marrëdhëniet brenda Aleancës, Rute tha se ekziston "angazhimi i plotë" i presidentit amerikan, Donald Tramp, ndaj NATO-s, por se Uashingtoni në të njëjtën kohë me të drejtë pret që anëtarët evropianë dhe Kanadaja të rrisin shpenzimet e mbrojtjes dhe të ndajnë mjetet në mënyrë më të barabartë në kuadër të Aleancës.
Duke komentuar pakënaqësinë e supozuar të disa përfaqësuesve amerikanë me aleatët për qëndrimin e tyre ndaj Iranit, Rute vlerësoi se bëhet fjalë për "raste të izoluara".
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s iu referua edhe çështjes së Grenlandës, duke theksuar se një "proces i mirë" është duke u zhvilluar lidhur me këtë çështje, por nuk dha detaje të mëtejshme. rq/
Foto: arkivi i MIA-s