Rritje dramatike e epidemisë në Kongo: Numri i viktimave nga ebola u dyfishua për vetëm tri javë
- Post By Fitore Curri
- 16:02, 11 gusht, 2026
Bunia, 11 gusht 2026 (MIA) – Të paktën 2.000 njerëz humbën jetën që nga fillimi i epidemisë më të re të ebolës në Republikën Demokratike të Kongos, tregojnë të dhënat më të reja të autoriteteve të atjeshme, duke konfirmuar se kjo është epidemia me rritjen më të shpejtë të këtij virusi e regjistruar ndonjëherë në histori.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara natën e kaluar, deri më tani janë regjistruar gjithsej 4.381 raste të konfirmuara të infeksionit, prej të cilave 2.011 përfunduan me fatalitet, përderisa për momentin 704 pacientë gjenden në mjekim dhe në izolim të ashpër. Ky bilanc tragjik është arritur për diç më pak se tre muaj pasi epidemia ishte shpallur zyrtarisht më 15 maj.
Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë për tempon e ashpër të përhapjes së infeksionit: përderisa për 1.000 rastet e para të rasteve të vdekjes u nevojitën nëntë javë, 1.000 viktimat e ardhshme ishin regjistruar për vetëm tri javë. Kjo edhe më tutje i fuqizon alarmet e organizatave humanitare se ndihma e nevojshme mjekësore nuk arrin mjaftueshëm shpejtë në zonat e largëta.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dje kumtoi se epidemia në fakt ka filluar që në shkurt, shumë para se autoritetet ta identifikojnë në një nga rajonet më të largëta të vendit. Kjo epidemi edhe më shumë dallohet nga shumica e të tjerave sepse e shkakton lloji i rrallë i virusit “bundibuxhio” (Bundibugyo), për të cilin ende nuk ka vaksina të miratuara e as terapi specifike.
Kjo është epidemia e 17-të dhe deri më tani më e madhe e ebolës me të cilën përballet ky vend i Afrikës Qendrore, ku në vitin e largët 1976, në afërsi të lumit Ebola, për herë të parë në botë ishte identifikuar ky virus vdekjeprurës. fc/
Foto: Arkivi