Robert Hol dhe Majkëll Vudford fitues të çmimit Nobel për ekonomi
- Post By Arta Bunjaku
- 13:08, 12 tetor, 2026
Stokholm, 12 tetor 2026 (MIA) - Ekonomistëve amerikanë, Robert E. Holl dhe Majkëll Vudford sot u është ndarë çmimi Nobel për këtë vit për ekonomi, për punimin e tyre për "bazat mikroekonomike të stabilizimit makroekonomik", kumtoi Akademia suedeze e shkencave.
Holl dhe Vudford demonstruan se si të rindërtohen modelet ekonomike për të rigjallëruar politikat e stabilizimit.
Dy fituesit e çmimit të Bankës popullore suedeze për shkenca ekonomike do ta ndajnë shumën prej 12 milionë krunave suedeze, përkatësisht rreth 1,9 milionë dollarë.
Qasja e tyre fokusohet në ndërtimin e modeleve mbi baza mikroekonomike në vend që të mbështetet në lidhjet statistikore midis variablave makroekonomikë si inflacioni, prodhimi dhe konsumi.
Kjo metodë ofron një kuptim më të thellë se si veprimet e kombinuara të familjeve individuale dhe bizneseve ndikojnë në ekonominë e përgjithshme.
I lindur në shtetin amerikan të Kalifornisë në vitin 1943, Holl vazhdon punën e tij si profesor i ekonomisë në Universitetin Stanford.
Vudford, i lindur në shtetin amerikan të Masaçusets në vitin 1955, shërben si profesor i ekonomisë në Universitetin Kolumbia. ab/
Foto: ЕPА