Rasti i parë i vdekjes nga virusi i Nilit Perëndimor në Qipro
- Në Republikën e Qipros është regjistruar vdekja e parë nga virusi i Nilit Perëndimor dhe bëhet fjalë për një pacient 90-vjeçar me probleme të mëhershme shëndetësore, ka konfirmuar për agjencinë qipriote të lajmeve CNA, infektologu Aristos Aristodimu, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
- Post By Fami Bajrami
- 12:26, 4 shtator, 2026
Nikozia, 4 shtator 2026 (MIA) – Në Republikën e Qipros është regjistruar vdekja e parë nga virusi i Nilit Perëndimor dhe bëhet fjalë për një pacient 90-vjeçar me probleme të mëhershme shëndetësore, ka konfirmuar për agjencinë qipriote të lajmeve CNA, infektologu Aristos Aristodimu, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Infektologu tha për CNA se deri në mbrëmjen e djeshme janë regjistruar gjithsej dhjetë raste, nga të cilat shtatë janë të konfirmuara dhe tre janë raste të mundshme dhe shumica prej tyre janë në rajonin e Nikozisë.
Nga rastet e konfirmuara, katër pacientë janë shtruar në spital.
Lidhur me masat mbrojtëse, Aristodimu shpjegoi se janë marrë masa për çdo rast të raportuar që nga fillimi, d.m.th. "kryhet ndjekja e kontakteve, kryhet spërkatje derë më derë për të zbuluar dhe eliminuar pikat e nxehta dhe nëse është e nevojshme masat përsëriten".
Rasti i parë i virusit të Nilit Perëndimor në Republikën e Qipros këtë vit u konfirmua më 20 gusht, ndërsa virusi është monitoruar në vend që nga viti 2016.
Numri më i madh i rasteve, gjithsej 24 u regjistruan në vitin 2019, nëntë ka pasur në vitin 2023 dhe asnjë rast i vetëm nuk është regjistruar në vitet 2020, 2021 dhe 2025.
Foto: arkivi i MIA-s