• e premte, 04 shtator 2026

Rast i dytë i vdekjes nga Ethet e Nilit Perëndimor në shtet

Rast i dytë i vdekjes nga Ethet e Nilit Perëndimor në shtet

Shkup, 14 gusht 2026 (MIA) - Rast i dytë i vdekjes nga Ethet e Nilit Perënidmor ndodhi sot në Maqedoninë e Veriut. Bëhet fjalë për një shkupjan 72-vjeçar, informoi sot drejtori i Klinikës infektive në Shkup, Fadil Cana.

"Për shkak të transparencës dhe informimit të saktë të opinionit, dua t'ju informoj se, për fat të keq, një pacient 72-vjeçar me infeksion të konfirmuar në laborator nga virusi i Nilit Perëndimor dhe pamje të rëndë klinike të meningoencefalitit, ndodhi epilogu me vdekje", tha ai në deklaratë për media.

Me këtë rast ai sqaroi se pacienti që gjatë pranimit, ishte në gjendje të përgjithshme të rëndë, me simptoma të theksuara neurologjike. Pavarësisht masave të marra për trajtim intensiv dhe monitorim të vazhdueshëm, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua në mënyrë progresive.

"Aktualisht, në Klinikë janë shtruar gjithsej 24 pacientë, nga të cilët 19 kanë infeksion të konfirmuar në laborator nga virusi i Nilit Perëndimor. Pesë prej tyre janë në gjendje të dyshimtë dhe po i nënshtrohen një procedure diagnostikuese. Shtatë nga pacientët e shtruar në spital kanë gjendje më të rëndë klinike dhe janë nën mbikëqyrje intensive mjekësore. Pesë prej tyre janë në ventilim mekanik, pacientët e tjerë të shtruar në spital janë në Repartin për neuroinfeksione dhe tashmë janë në gjendje të qëndrueshme. Po merren të gjitha masat e nevojshme për trajtimin e tyre", tha Cana.

Drejtori theksoi se gjendja e të gjithë pacientëve të shtruar në spital po monitorohet vazhdimisht. Për çdo ndryshim më të rëndësishëm, tha ai, veçanërisht në lidhje me pacientët me pamje më të rëndë klinike, opinioni do të informohet në kohë dhe në mënyrë transparente.

Ky është rasti i dytë i vdekjes nga ethet e Nilit Perëndimor, pas vdekjes së një pacienti 83-vjeçar. Personi për të cilin informoi sot drejtori Cana, ishte shtruar më parë në spital pas pranimit me formë të rëndë të inflamacionit të trurit dhe meningjeve. Që nga fillimi, pas pranimit, pacienti ishte në gjendje të rëndë me simptoma të theksuara neurologjike. Pavarësisht të gjitha masave intensive të marra dhe monitorimit të vazhdueshëm, shpjegoi Cana, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua, pas çka pati epilog fatal.

"Të gjithë pacientët janë të moshuar dhe me komorbiditete. Po ashtu edhe pacienti i sotëm që vdiq, është 72-vjeçar me sëmundje shoqëruese", theksoi Cana. bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR