• e hënë, 17 nëntor 2025

Rama: Ballkani Perëndimor nuk është problem që duhet të zgjidhet, por zgjidhje që pret të integrohet

Rama: Ballkani Perëndimor nuk është problem që duhet të zgjidhet, por zgjidhje që pret të integrohet

Tiranë, 13 tetor 2025 (MIA) - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në hapjen e Forumit të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, i cili po mbahet sot dhe nesër në Tiranë, deklaroi se "Ballkani Perëndimor nuk është një problem që duhet zgjidhur, por një zgjidhje që pret të integrohet", duke apeluar "që Ballkani Perëndimor të shndërrohet në një korsi të shpejtë për transformimin e Evropës".

Ky ishte mesazhi që kryeministri Rama i drejtoi Forumit të parë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, i cili po zhvillon punimet në Tiranë.

Kryeministri Rama, siç njofton ATSH theksoi se "ky është mesazhi i horizontit të ri, që kapitulli tjetër i konkurrueshmërisë së Europës nuk duhet të shkruhet vetëm në Bruksel apo në kryeqytetet e tjera të Europës, por edhe në Podgoricë, Tiranë, Beograd, Shkup, Prishtinë e Sarajevë së bashku".

Rama theksoi se “nuk duhet shumë shkencë, por duhet ca kurajo për të kuptuar se Ballkani Perëndimor mund të bëhet strehë amortizuese rregullatore e Europës, laboratori i saj i rezistencës në hapësirën për të ndërtuar të ardhmen”.

“Nga energjia te lëndët e para kritike, tek infrastruktura, inteligjenca artificiale, prodhimi i teknologjisë së lartë. Këto zinxhirë europianë të vlerës mund të zgjerohen, të diversifikohen e të bëhen më të fortë, sepse le ta themi troç Evropa nuk e ka luksin të varet nga ajo që nuk e kontrollon dot dhe ne në Ballkan nuk e kemi luksin për t’u quajtur gjithmonë në rastin më të mirë potencial”, shtoi Rama.

Ndaj, kryeministri theksoi se ky kënd i Evropës duhet të kthehet në një korsi të shpejtë të transformimit të Europës.

“Le të imagjinojmë një zonë të përbashkët të horizontit të ri, një ekosistem të ndërlidhur ku investimet miratohen jo për vite të tëra, por vetëm për muaj, ku përputhshmëria është e thjeshtë dhe transparente e ndihmuar nga novacioni, digjitalizimi, inteligjenca artificiale, ku ligjet e tregut pikëtakohen me vlera të BE-së”, tha Rama.

Rama tha se kjo mund të bëhet një hapësirë e gjallë jetese për bizneset dhe jo vetëm të na bëjë një vend ku kompanitë europiane vijnë për krahun e lirë të punës, por për partneritete inteligjente.

“Ne e dimë vendin tonë nuk po kërkojmë të na jepet falas një vend në tryezë, por kërkojmë të ndihmojmë BE-në në përpjekjet e veta për të ndërtuar këtë tryezë nga e para. Sepse zgjerimi apo bashkimi nuk mund të ketë të bëjë vetëm me gjeografinë, duhet të ketë të bëjë me inteligjencën strategjike”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se nga partnerët europianë nuk kërkojmë bamirësi apo dhurata, por kërkojmë vetëm vizion.

“Të njëjtin vizion që dikur solli bashkë në BE kombe si Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, duke çelur asaj kohe një horizont të ri që krijoi një rritje të jashtëzakonshme për ta dhe i solli BE-së dividendë të tillë që nuk i kishte parë për dekada të tëra. Le të përvijojmë së bashku një udhërrëfyes ku stimujt tanë takohen me përparësitë tuaja, reformat tona iu përgjigjen nevojave tuaja dhe ambiciet tona përputhen me nivelin europian”, tha Rama.

Ndërsa citoi Albert Kamynë, Rama theksoi se "bujaria e vërtetë kundrejt së ardhmes është t’i japësh çdo gjë të tashmes".

“Fuqia e Europës nuk duhet të matet me madhësinë, por me shtrirjen e me një imagjinatë që është diçka që Ballkani Perëndimor e ka në brendi. Pra le t’i japim gjithçka kemi këtij momenti të ardhshëm të horizontit të ri. Nevoja është këtu, kriza ka ardhur tashmë. Ndaj le ta transformojmë nevojën në vizion dhe krizën në krijim”, tha Rama.

Kryeministri kërkoi që ky horizont i ri të çelet jo vetëm me deklarata, por edhe me vepra.

“Le ta vërtetojmë se ka ende hapësirë për Evropën që të bëhet më e urtë, të rritet më shpejt, të bëhet më e lirë. Le të punojmë së bashku jo vetëm për Europën që kemi trashëguar apo kemi ëndërruar, por për Evropën që ende mund ta imagjinojmë së bashku”, shtoi Rama. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR